Krasniqi për zvarritjen e punimeve në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë: Dëmet po i pësojnë qytetarët

Aktuale

Krasniqi për zvarritjen e punimeve në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë: Dëmet po i pësojnë qytetarët

Më: 23 nëntor 2023 Në ora: 15:54
Rrezarta Krasniqi

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Rrezarta Krasniqi, ka reaguar për zvarritjen e punimeve në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë.

Krasniqi tha se këto dëme po i pësojnë qytetarët.

“Janë bërë disa muaj që tashmë kjo qeveri qëllimshëm ose jo është duke zvarritur punimet në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, me disa procedura koti që për synim kanë bllokimin e mëtejmë të këtij projekti infrastrukturor, gjë e cila po shkakton dëme të mëdha financiare për qytetarët e kësaj ane, bizneset, fermerët dhe bujqit”.

“Bizneset vuajnë humbje të konsiderueshme financiare, fermerët janë të bllokuar në aksesin e tyre të nevojshëm, dhe qytetarët po përballen me një trafik të rënduar dhe kosto shtesë për shkak të vonesave. Në vend që të shohim progres dhe zhvillim, jemi dëshmitarë të një strategjie manipulative nga ana e qeverisë, të cilat kanë përqendruar përpjekjet e tyre në shpërndarjen e lajmeve të pavërteta në vend të përmirësimeve konkrete”.

“Kjo nuk është thjesht një çështje e infrastrukturës; është një çështje e përgjegjësisë ndaj qytetarëve tanë. Në muajin mars të këtij viti Ministri Liburn Aliu, kishte njoftuar për publikimin e Njoftimit Specifik për Prokurim për Shërbimet Konsulente në Rishikim të Dizajnit dhe Mbikëqyrje të punimeve në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë, me gjatësi prej 9.78Km duke thënë se duhen 25 muaj për finalizimin e këtij projekti”.

“Ndërkohë me 8 tetor, i njëjti ministër shfaqet sërish në këtë magjistrale me një video mesazh duke thënë se tashmë është hapur njoftimi për dorëzimin e ofertave për ekzekutimin e punimeve. E një javë më vonë, më 16 tetor sërish bën me dije se kanë hapur njoftimin për dorëzimin e ofertave, në lidhje me kryerjen e punimeve në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë. Pra, po flasim për 7 muaj kohë diferencë dhe puna e vetme që është bërë nga ky ministër në lidhje me punimet në këtë magjistrale, janë tri pastime në faqen e tij në Facebook dhe asgjë konkrete”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat