​Kryediplomatja belge kërkon deeskalim dhe përkushtim të ri në dialog

Aktuale

​Kryediplomatja belge kërkon deeskalim dhe përkushtim të ri në dialog

Më: 24 nëntor 2023 Në ora: 14:18
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka pritur të premten në takim homologen e saj belge, Hadja Lahbib

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka pritur të premten në takim homologen e saj belge, Hadja Lahbib. Pas takimit, kryediplomatja kosovare kërkoi nga Bashkimi Evropian që të jetë më e zëshme dhe qartë ndaj proceseve që po e rrezikojnë sigurinë dhe paqen në rajon. Ndërkaq, ajo belge nënvizoi nevojën për një përkushtim të ri në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Ministrja Gërvalla në deklarimin për medie pas takimit, tha se me homologen e saj belge kanë diskutuar rreth sfidave të sigurisë në rajon dhe sjelljes agresive të Serbisë ndaj Kosovës.

Ajo përmendi se kanë diskutuar edhe për diasporën shqiptare në Belgjikë dhe prioritetet që pritet t’i ketë Belgjika në presidencën e BE-së që pritet ta marrë më 1 janar 2024.

“Biseduam gjatë rreth sfidave të sigurisë, atyre gjeopolitike dhe të rajonit tonë. Jo vetëm Kosova që përballet me sfidat e shumta për shkak të sjelljes agresive të fqinjit të saj, por edhe Evropa në përgjithësi dhe bota perëndimore përballet me luftëra dhe kërcënime, që vetëm të bashkuar mund t’i përballojmë...Pata kënaqësinë të informojë rreth procesit të menaxhimit të kërcënimeve me të cilat përballet Kosova me shpresën që Bashkimi Evropian do të jetë më i qartë dhe i zëshëm në proceset të cilat rrezikojnë sigurinë dhe paqen në rajonin tonë”, tha ajo.

Në anën tjetër, ministrja e Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane, Tregtisë së Jashtme dhe Institucioneve Federale të Kulturës të Belgjikës, Hadja Lahbib, tha se përkundër përparimit në dialog me arritjen e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë ende të larta.

Andaj, ajo theksoi nevojën që të ndodh deeskalimi në veri dhe të këtë një përkushtim të ri për zbatimin e ujdive paraprake.

“Është bërë një përparim në normalizimin e marrëdhënieve, sidoqoftë tensionet janë ende të larta. Nga përvoja e dina se vetëm me dialog mundemi me shkua tutje në një mënyrë të pranueshme nga të gjithë. Përgjigja që po e kërkojmë është deaskalimi dhe një përkushtim i ri për procesin e normalizimit. Kjo është e vetmja mënyrë për një paqe afatgjatë dhe që do t’iu jap dy palëve një të ardhme të integrimit në BE”, theksoi ajo.

Kryediplomatja belge gjatë qëndrimit të saj në Kosovë do të takohet edhe me presidenten, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat