Kurti thirrje ndërkombëtarëve ta sanksionojnë Serbinë: S’e tolerojmë një përsëritje si e sulmit në Banjskë

Aktuale

Kurti thirrje ndërkombëtarëve ta sanksionojnë Serbinë: S’e tolerojmë një përsëritje si e sulmit në Banjskë

Më: 24 nëntor 2023 Në ora: 14:39
Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së sotme ka folur për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku ka bërë thirrje te ndërkombëtarët që të marrin masa ndëshkuese ndaj Serbisë.

Kurti ka thënë se Serbia duhet të sanksionohet, në mënyrë që sipas tij, të mos ketë përsëritje të rasteve të tilla.

Shefi i Qeverisë ka paralajmëruar se nuk do të tolerohet e as durohet çfarëdo përsëritje që i ngjan sulmit të 24 shtatorit.

“Sepse masat dhe sanksionet e Serbisë ne nuk i duam që të ketë dënim me ndëshkim por para se gjithash mos të ketë përsëritje nuk mund ta tolerojmë as durojmë çfarëdo përsëritje që i ngjan asaj të 24 shtatorit si sulm terrorist e kriminal dhe për këtë duhet të veprohet tash e jo nesër. Me këtë rast unë i bëj thirrje faktorëve ndërkombëtarë që ta shtrojmë çështjen me pyetjen kanë kaluar 2 muaj sepse pasnesër bëhen 9 muaj prej se në Bruksel jemi dakorduar për marrëveshjen bazike dhe gjatë këtyre muajve Serbia i ka shkelur së paku 8 nga 11 nenet e marrëveshjes bazike dhe në këto kushte ne konsiderojmë që aq më tepër nënshkrimi i saj është i domosdoshëm sepse nënshkrimi është ai që anulon shkeljet dhe garanton pranim dhe zbatim të qëndrueshëm”, ka thënë Kurti.

Kujtojmë se më 24 shtator, si pasojë e një konfrontimi me armë me një grup terrorist serb në Banjskë të Zveçanit, ka humbur jetën rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe ka mbetur i plagosur zyrtari policor, Alban Rashiti.

Të vrarë kanë mbetur edhe tre nga terroristët serb që morën pjesë në agresionin e dhunshëm, teksa disa të tjerë u arrestuan, por shumica prej mbi 80 sosh ikën nga vendi i ngjarjes.

Kosova ka fajësuar Serbinë se organizoi sulmin terrorist, gjë që u mohua nga Beogradi zyrtar, të cilët thanë se kjo ishte revoltë e serbëve lokalë.

Përgjegjësinë për sulmin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, i sanksionuari nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, Milan Radoiçiq, i cili mohoi se ka marrë ndonjë ndihmë nga Beogradi.

Policia gjeti sasi të madhe të armatimit brenda manastirit, e po ashtu brenda automjeteve që gjendeshin pranë objektit fetar, të cilat u publikuan më pas bashkë me disa dokumentacione nga Policia e Kosovës, kryeministri i vendit, Albin Kurti si dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Pas sulmit në Banjskë, Serbia grumbulloi trupa ushtarake në kufi me Kosovën – gjë që u dënua nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat e cilësuan si “veprim shumë destabilizues”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat