Gjykimi ndaj Pjetër Shalës në seancë private për publikun

Aktuale

Gjykimi ndaj Pjetër Shalës në seancë private për publikun

Më: 28 nëntor 2023 Në ora: 08:13 Përditësuar në ora: 11:19 më 28.11.2023
Pjetër Shala

Në seancë private për publikun, fillon gjykimi ndaj Pjetër Shalës

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar seanca gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, e cila është edhe në sesion privat për publikun, me arsyen se do të diskutohet për disa çështje.

Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia njoftoi se gjatë kësaj seance do të dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të nëntë të mbrojtjes, me kodin W04280, i cili do të jetë me masa mbrojtëse.

Po ashtu, Veldt-Foglia njoftoi se dëshmitari nuk do të jetë i pranishëm në sallë, mirëpo përmes video-lidhjes.

Gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Specialja s’e përfill festën e 28 nëntorit - vazhdon sot gjykimi ndaj Pjetër Shalës

Në festën e 28 Nëntorit, ditës së flamurit kombëtar, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shalës.

Seanca ndaj Shalës pritet të nisë në ora 09:30 dhe të përfundojë në 16:00.

Shala po akuzohet për krime lufte, ndalim arbitrar, trajtim mizor dhe për vrasje të paligjshme.

Ato dyshohet se u kryen midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që dyshohet se u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat