​Prekazi vend i shenjtë, duhet ta vizitojnë të gjithë shqiptarët

Aktuale

​Prekazi vend i shenjtë, duhet ta vizitojnë të gjithë shqiptarët

Më: 28 nëntor 2023 Në ora: 12:20
Prekaz

Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe ditëlindjes së komandantit legjendar, Adem Jashari, përveç personaliteteve politike, shumë qytetarë nga vende të ndryshme brenda dhe jashtë Kosovës, kanë vizituar varrezat në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.

Në ditën e flamurit dhe 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ata bëjnë thirrje që “shqiptarët të jenë unik dhe më të bashkuar se kurrë”.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Brahim Xhaka, derisa vizitoi varrezat e familjes Jashari, përmes KosovaPress, u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të jenë unik dhe të bashkuar për të ecur përpara çështjet madhore për Kosovën.

Xhaka tha se këto varreza janë inspirim dhe përcjellin mesazh të forta se për çka ka flijuar familja Jashari.

Xhaka: Të jemi unik dhe të bashkuar

“Festat e nëntorit, që janë festa të rëndësishme për këtë ditë. Së pari, është ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari, është dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njëkohësisht është edhe dita e flamurit…Nga ky vend i shenjtë, kisha një porosi për të gjithë shqiptarët e Kosovës, që të jenë unik dhe të bashkuar për të gjitha çështjet, siç kemi qenë përpara 25 vjet, për çështje madhore të Kosovës. Mirëpo, ka ardhur momenti i duhur tashmë kurrë nuk duhet me qenë më unik, më të bashkuar se në këtë moment. Këto janë varreza që na inspirojnë, dhe na dhënë mesazhe të forta se për çka kanë flijuar këta, flijimi i tyre është i përhershëm”, tha Xhaka.

Ndërkaq, Florin Ndreshaj tha se në ditën e 28 nëntorit, të gjitha rrugët të shpien në Prekaz, derisa uroi që 28 nëntori i tretë të festohet nga të gjithë shqiptarët në një shtet.

Ndreshaj: Më 28 Nëntor të gjitha rrugët na shpien në Prekaz

“28 Nëntori nuk është vetëm dita e luftës së fundit që festohet, është për shqiptarët, është nëntori i parë, nëntori i dytë, tash nëntori i tretë, mendoj që më 28 Nëntor të gjitha rrugët na shpien në Prekaz…Uroj që shpejt ta festojmë edhe 28 Nëntorin e tretë dhe të gjithë shqiptarët të jetojnë në një shtet”, potencoi Ndreshaj.

Ndërsa, Helidon Gramshi nga Tirana, tregoi se sot për herë të parë vizitoi Prekazin, për çka tha se ndjen emocione të forta dhe të veçanta.

Gramshi shtoi se kanë ardhur bashkë si grup se do të organizojnë një maratonë, derisa vlerësoi se Prekazi është një vend që duhet vizituar nga gjithë shqiptarët.

Gramshi: Vizita e parë në Prekaz, emocione të forta

“Kemi ardhur këto të bëjmë maratonën e Prekazit, është hera e parë që ndodhem këtu në Prekaz, janë emocione të veçanta…I urojë gjithë shqiptarëve, gëzuar festat, vend shumë i bukur…Ka ndjesi tjetër kur e shikon shtëpinë nga afër, të jep emocione, është ndryshe ta shohësh nga telefonizoni, është ndryshe të vijsh këtu. I ke emocionet shume të forta. Është një vend që duhet të vijnë të gjithë shqiptarët”, theksoi Gramshi.

Po ashtu, edhe një vizitore tjetër nga Tirana, Ganimete Thaçi, që mban emrin e heroinës Ganimete Tërbeshi, tha se po viziton Prekazin “për t’i dhënë zë figurës së Tërbeshit, ashtu siç dha jetën familja Jashari, në kohën kur ishte më shumë se kurrë e nevojshme për vendin”.

Thaçi: Koha ftohtë, dimër, por shpirti më nxehtë se kurrë

“Koha ftohtë, dimër, por shpirti më nxehtë se kurrë…Unë e kam edhe emrin e Ganimete Tërbeshit, të një nga heroinat e vendit këtu, për mua ka një rëndësi të veçantë, shpesh herë fjalët më mungojnë…Unë e kam planifikuar ekstra pushimin për të qenë këtu, për t’i dhënë zë kësaj figure, këtij portreti, këtij vendi, ashti siç dha jetën kjo familje dhe shumë të tjera në kohën që ishte më shumë se kurrë e nevojshme për vendin”, tha Thaçi.

Ndryshe, 28 nëntori shënon tri data të rëndësishme për shqiptarët, përveç shpalljes së Shqipërisë si shtet i pavarur, në këtë datë lindi heroi i Kosovës, Adem Jashari, si dhe u bë dalja e parë në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat