Abrashi: Draft-statuti për Asociacionin bëhet publik kur të përfundojë i gjithë procesi

Aktuale

Abrashi: Draft-statuti për Asociacionin bëhet publik kur të përfundojë i gjithë procesi

Më: 28 nëntor 2023 Në ora: 23:34
Artan Abrashi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka folur për aktualitetin politik dhe ekonomik. Abrashi, ka thënë se ligji për pagën minimale, ka qenë një prej pikave që kjo qeveri e ka pasur synim që nga fillimi.

Sipas deputetit Abrashi, edhe rregullimi i çmimeve në treg ka qenë një prej iniciativave që e ka ndërmarrë me prioritet.

“Jemi ekonomi e tregut të lirë. Por kur kemi të bëjmë me situata që prekin qytetarin, nëse jo qeveria, kush do t’i ndihmojë”, u shpreh ai.

Regjistrimi i popullsisë

Deputeti Abrashi e ka komentuar edhe largimin e të rinjve nga Kosova derisa në qeverisje kanë qenë kryeministrat e kaluar. Ka thënë, se sot, nuk ka largim të të rinjve.

Abrashi ka mohuar akuzat se Qeveria e Kosovës ka shtyrë afatin për regjistrimin e popullsisë, me qëllim fshehjen e shifrave.

“Qytetarët tanë pas hyrjes në fuqi të liberalizimit, nuk do të mendojnë të ikin. Shkojnë, kthehen, pse jo”, u shpreh Abrashi, derisa ka thënë se ka kulturë e standard më të mirë ditët e sotme në Kosovë.

“Nuk qëndron e vërteta që po thoni që sot ikin të rinjtë. Regjistrimi i popullsisë është e vërtetë që ka ardhur koha të bëhet. Nuk është në interesin tonë të fshihet një realitet që është ekzistues. Nuk ka pakënaqësi. Nuk ka shtyrje të regjistrimit për t’i fshehur shifrat”, është shprehur Abrashi derisa është pyetur për akuzat e ngritura se Qeveria e Kosovës e ka shtyrë afatin për regjistrimin e popullsisë me qëllim të fshehjes së shifrave.

“Së shpejti do të nisë procesi i regjistrimit të popullsisë”, u shpreh ai.

Dialogu

Deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi, tha se çështja e dialogut po merr edhe shumë energji në Kosovë.

“Përveç si proces politik, ka filluar të marrë edhe sigurinë kombëtare. E kemi rastin në Banjskë. Ka pasur përkushtim të plotë në këtë proces, pasi prek edhe territorin e Kosovës. Kryeminsitri Kurti është personi adekuat në këtë proces. Unë definitivisht jam tepër i kënaqur deri tani, dhe ky proces nën udhëheqjen e Kurtit do të përmbyllet më së miri”, u shpreh ai.

Draft-statuti për Asociacionin

Deputeti Artan Abrashi, ka komentuar edhe draft-statutin për Asociacionin.

“Kjo është temë që ka dominuar publikun. Ka arritur në përmasa toksike. Kurti pas çdo takimi që zhvillohet në Bruksel e njofton. Kurti ka folur për marrëveshjen në kornizë të përgjithshme që janë në favor të Kosovës. Por këtu ngreh vëmendje më shumë Asociacioni. E kuptoj pse ekziston kjo vëmendje, por është herët”, tha ai.

Abrashi ka thënë se nuk e ka parë draft-statutin.

“Nuk e kam parë, por e di atë që e ka thënë kryeminsitri Kurti. Është thënë se në shenjë të konfidencialitetit të mos bëhet publik drafti. Ende janë duke i dhënë palët vërejtjet e tyre”, tha Abrashi.

Sipas Abrashit, ka qenë problematike edhe publikimi i verzioneve të drafteve.

“U kontaminua gjithçka. Në fund doli një draft jo zyrtar”, ka thënë Abrashi duke i komentuar publikimet që i kanë bërë Edi Rama dhe Burim Ramadani, për të cilat tha se nuk janë zyrtare.

Draft-statuti për Asociacionin, sipas Abrashit, do të bëhet kur të përfundojë i gjithë procesi dhe të jepen të gjitha vërejtet nga palët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat