Ndrecaj: Specialja do ta ketë fundin si UNMIK-u e EULEX-i

Aktuale

Ndrecaj: Specialja do ta ketë fundin si UNMIK-u e EULEX-i

Më: 29 nëntor 2023 Në ora: 18:52
Anton Ndrecaj

Njohësi i çështjeve ligjore, Anton Ndrecaj, ka komentuar vizitën e Kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova në Prishtinë si dhe punën e Gjykatës Speciale deri më tani.

Teksa krahasoi Gjykatën Speciale me atë të Tribunalit të Hagës, Ndrecaj tha se gjykata e tanishme ka më pak transparencë dhe është më e izoluar.

“Kjo gjykatë po tenton të jetë e izoluar. Mirëpo, ne kemi edhe rastin e Tribunalit të Hagës ku janë gjykuar krimet e luftës të cilat kanë ndodhur në ish-Jugosllavi, por nuk ka qenë kaq e mbyllur edhe pse kanë qenë raste sensitive. Ata kishin një transparencë dhe informata pak më ndryshe, mënyra e procesit edhe pse ka marrë kohë, përsëri kanë pasur një trajtim më të mirë. Përderisa kjo gjykatë është mbyllur e izoluar, por në fund epilogu do të jetë pak a shumë si UNMIK-u dhe misioni i EULEX-it”, deklaroi Ndrecaj.

Më tej, Ndrecaj vlerësoi që besueshmëria e qytetarëve të Kosovës ndaj kësaj gjykate, është në nivelin zero.

“Besueshmëria e qytetarëve të Kosovës ndaj kësaj gjykate, është në nivelin zero. Realisht, nëse do të dilnim në një referendum, pjesa më e madhe e popullatës do të ishte kundër kësaj gjykate. Mandati i kësaj gjykate nuk është cak lufta dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Mandati është që të hetohen të gjitha rastet e pretenduara te krimet ndaj popullatës civile. Ne jemi dëshmitarë të asaj që Prokuroria ka ngritur aktakuzat, por e gjithë dosja që është e përgatitur nga Prokuroria, 95 përqind e saj është komplet dosje e mbledhur nga Ministria e Drejtësisë së Serbisë dhe organet ndjekëse të Serbisë, e që të cilat kanë fabrikuar ngjarje e kanë fabrikuar situatat”, shtoi tutje Ndrecaj.

Kujtojmë se Trendafilova sot ka mbajtur një takim me përfaqësues të shoqërisë civile në Prishtinë në kuadër të Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim. Derisa, pak më herët deklaroi që nuk ka pasur asnjëherë presion dhe ndërhyrje në punën e gjyqtarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat