Haxhiu thotë se Kurti ka pasur informacione për organizimin e Radoiçiqit

Aktuale

Haxhiu thotë se Kurti ka pasur informacione për organizimin e Radoiçiqit

Më: 29 nëntor 2023 Në ora: 23:52
Bekim Haxhiu

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka thënë se duhet të kërkohet llogari nga Qeveria Kurti e cila sipas tij, e ka sjellë Kosovën në një situatë të tillë, ku për herë të parë pas çlirimit Serbia me mjete të motorizuara hynë në territorin e Kosovës.

Haxhiu deklaroi se në të kaluarën shteti serb nuk guxonte të ndërmerrte veprime të tilla.

“Duhet të kërkohet llogari nga Qeveria e Kosovës që na solli në një situatë të tillë, cilat janë hapat e gabuar që kjo Qeveri i mori dhe që e solli situatën në gjendje të tillë, ku për herë të parë pas çlirimit çizmja e Serbisë, uniforma e Serbisë dhe mjetet e motorizuara të Serbisë hynë në Kosovë me Albin Kurtin në Qeveri. Pse në të kaluarën nuk kishte veprime të tilla, pse nuk guxonte asnjëherë Serbia të niste njësitë e saj paramilitare në Kosovë, sepse ishte një koordinim i mirëfilltë i institucioneve të Republikës së Kosovës me institucionet e sigurisë ndërkombëtare dhe raportet tona me partnerët ishin të fuqishme”, tha Haxhiu.

Derisa sipas Haxhiut, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka pasë informacione edhe per sulmin terrorist në Banjskë ndaj Policisë së Kosovës.

“Kurti ka pasë informacione edhe për organizimin e Radoiçiqit edhe për organizime të tjera të bandave të cilat veprojnë në atë pjesë veriore. Sepse në pozicionin të cilin e mbanë ai ka informacione nga institucionet tona të sigurisë, nga intelegjenca jonë por edhe nga intelegjenca ndërkombëtare. Ka pasë informacione që ka pasë grupe të armatosura edhe ka pasë informacione se kush i udhëheqë ato grupe. Pra nuk ka qenë që nuk ka qenë e ditur, pyetja është që duke i ditur gjithë këto informacione, si është lejuar të veprojë Radoiçiqi në pjesën veriore”, tha Haxhiu.

“Edhe Kurti edhe presidentja dhe të tjerët kanë pasë informacione se situata në pjesën veriore është shumë e brishtë. Prandaj do të duhej një koordinim shumë më i mirë me faktorin ndërkombëtarë të cilët duke e ditur situatën atje insistonin që të kishte një marrëveshje dhe një ulje të tensionit me qëllim të arritjes së dialogut me njohje reciproke”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat