Tërnava: Kosovës t’i hapen dyert për në NATO

Aktuale

Tërnava: Kosovës t’i hapen dyert për në NATO

Më: 30 nëntor 2023 Në ora: 13:55
Hajrullah Tërnava, ekspert sigurie

Samiti i Madh i ministrave të punëve të jashtme të vendeve anëtare ka filluar të martën dhe do të vazhdojë edhe të mërkurën, ku një nga top temat e diskutimit sipas sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, është situata e sigurisë në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor.

Në një konferencë për media nga Brukseli, i pari i Aleancës Veri-Atlantike, tha se “kemi parë dhunë serioze në veri të Kosovës, retorikë ndarëse e shkëputëse në Bosnjë Hercegovinë, dhe tentime malinje të ndërhyrjeve përfshirë nga Rusia”.

“Ne kemi parë dhunë serioze në veri të Kosovës, retorikë ndarëse dhe secioniste në Bosnjë Hercegovinë, dhe tentime malinje përfshirë nga Rusia”.

Ndërkohë, ai foli për një prani më madhore të NATO-s në Kosovë.

“Bashkë me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së (Josep Borrell) ne do të diskutojmë mënyrat që të rrisim stabilitetin në rajon. NATO-ja tashmë ka shtuar 1000 (njëmijë) trupa në Kosovë. Dhe ne jemi duke ekzaminuar një prani më të qëndrueshme në Kosovë”.

Hajrullah Tërnava, ekspert sigurie në regjione të Ballkanit dhe sidomos në Kosovë thotë se është situatë e ndërlikuar.

Tërnava bën edhe lidhjen e zgjedhjeve në Serbi me gjendjen në Kosovë.

“Situata e ndërlikuar që po mbretëron tani në këto regjione të Ballkanit, e sidomos në shtetin e Kosovës, sikur që ndodhi më 24 shtator 2023 sulmi terrorist nga ana e Serbisë në Banjskë të Zveçanit, edhe që garancitë për sovranitet të Kosovës i ka KFOR-i, në ato pjesë të veriut, e kur dihet që në Serbi më 17 dhjetor 2023, mbahen zgjedhjet, dhe tani për t’i fituar ato zgjedhje janë bashkuar në koalicion tri parti nacionaliste që dikur ishin të bashkuara si një parti radikale, dhe kjo parti radikale gjithnjë ka qenë në koalicion me SPS e Millosheviqit, prandaj tani qëllimi i tyre është që t’i fitojnë zgjedhjet që do të mbahen në dhjetor, dhe për një kohë ta qeverisin Serbinë bashkë, prandaj ata tani në baza nacionale mundohen që elektoratit t’iu mbajnë ligjërata se “veriu i Kosovës është pjesë e Serbisë”, e kur dihet tani se Serbia është si shteti i vetëm në Evropë që i qëndron Rusisë në përkrahje ndaj luftës kundër Ukrainës”, shprehet Tërnava.

Deklarata e Stoltenbergut, sipas Tërnavës, është që Kosova të pranohet në NATO.

“Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka konfirmuar se në Samitin e Madh të ministrave të punëve të jashtme të vendeve anëtare që mbahet të martën dhe të mërkurën, një nga top-temat e diskutimit do jetë situata e sigurisë në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor. Bota demokratike duke e njohur tani Serbinë, e sidomos shtetet e NATO-së, tani po e shqyrtojnë praninë e “qëndrueshme” në Kosovë, e cila garanton ruajtjen e qetësisë dhe rehatisë së Kosovës, që do të thotë se rehatia në Kosove, do të jetë e qëndrueshme në mënyrë të përhershme, dhe kjo e thënë e Stoltenbergut e ka shpjegimin se Kosovës duhen në te ardhmen t’i hapen dyert për pranimin e saj në NATO, dhe kjo prani më e qëndrueshme e NATO-së, juridikisht e ka kuptimin që edhe dejure Kosova duhet të pranohet në këtë institucion ndërkombëtar të NATO-së”, shton Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat