Pireva: PSD s’ka përdorur mjete të ndaluara për protestë

Aktuale

Pireva: PSD s’ka përdorur mjete të ndaluara për protestë

Më: 30 nëntor 2023 Në ora: 18:41
Drilon Pireva

Drilon Pireva nga Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD), ka thënë se aktivistët e arrestuar dje janë duke qëndruar në ndalim 48-orësh.

“Nuk kemi shumë informacione se çfarë po ndodh, dje janë arrestuar, është përdorur një dhunë nga Policia e Kosovës, shumë joprofesionale me numrin e protestuesve dhe me mënyrën e protestës që ka ndodhur dje”, ka thënë Pireva.

Pireva ka thënë se ata po dyshohen për përdorim armësh, por ai shprehet se ky është devijim i fakteve. “Besojmë që ky është devijim i fakteve për këtë arsye ne besojmë se kjo është krejt e padrejtë ajo që ka ndodhur, arsyen pse ka ndodhur akoma nuk e dijmë”, ka thënë Pireva.

“Ideja jonë ka qenë që të protestojmë aty dhe ta ndërprejmë mundësisht diskutimin e Trendafiloves me shoqërinë civile, e cila ishte brenda hotelit. Ne kemi hedhur disa prej tymosëve, të cilët përdoren prej tifosëve, nuk janë armë, janë mjete që përdoren qoftë për festë. Ato zakonisht bëjnë tym dhe nuk dëmtojnë fizikisht askënd. Nuk janë mjete të ndaluara”, ka thënë tutje ai.

Rreth hetimit preliminar që ka filluar Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), Pireva ka shtuar se edhe herave tjera është përdorur dhunë ndaj aktivistëve. “Besojmë edhe tash që ky inspektorat do të merr masa të njëjta duke parë gjithçka që ka ndodhur aty në protestë”.

Pireva nga PSD është shprehur se protesta e djeshme ishte vetëm një aktivitet protestues që nuk prodhonte asnjë problem.

“Donim ta ndërprenim fjalimin e Trendafilovës dhe ky është qëndrim politik i yni, pasiqë besojmë që e njëjta e ka të rëndësishme që të relativizojë padrejtësinë që është duke ndodhur nga Gjykata Speciale për krerët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së”, ka shtuar Pireva nga PSD.

Pireva ka treguar se edhe herën e kaluar kanë kërkuar që të takohen me Trendafilovën, por e njëjta ishte përgjigjur duke i thënë se “nuk takohem me parti politike”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat