Drafti i Asociacionit e moszbatimi i marrëveshjes nga Kurti e Vuçiq, krejt çka deklaroi Hovenier dje

Aktuale

Drafti i Asociacionit e moszbatimi i marrëveshjes nga Kurti e Vuçiq, krejt çka deklaroi Hovenier dje

Më: 1 dhjetor 2023 Në ora: 07:29
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier në një intervistë  ka folur për nevojën urgjente që Kosova dhe Serbia të zbatojnë Marrëveshjen për Rrugën Drejtë Normalizimit. Diplomati amerikan ka përmendur disa herë kërkesën e Sholc, Makron e Meloni që Kosova të nis Asociacionin e Serbia ta japë njohjen de-facto.

Hovenier teksa ka folur për takimet e fundit në Bruksel të kryenegocaitorëve Besnik Bislimi e Petar Petkoviq, ka thënë se është në dijeni të asaj që dallimet mes palëve po ngushtohen. Sa i përket frikës se Asociacioni mund të çrregullojë shtetin e Kosovës, Hovenier ka specifikuar parimet mbi të cila SHBA përkrah themelimin dhe ka potencuar se as Uashingtoni zyrtar s’është i interesuar të bëhet pjesë e një procesi që e prish funksionimin e shtetit të Kosovës. Ai ka thënë se është urgjente që Qeveria të ecë përpara me procesin dhe të kryejë punën e saj duke aprovuar Draftin dhe që të njëjtin ta procedojë për në Gjykatë Kushtetuese.

Numri një i SHBA-së në Prishtinë kur ka folur për parashikimin e diplomatëve për vitet 2024-2025 si kohë kur mund të pritet përparim mes Kosovës e Serbisë, ka thënë se është çështje e vullnetit të palëve por që s’do të dëshirojë të pritet për afatin kohor të përmendur. Sa i përket aspektit të sigurisë në Veri dhe deklaratës së fundit të Stoltenberg për dislokimin e forcave serbe në afërsi të kufirit, Hovenier ka thënë se e bën gjumin rehat duke e ditur që NATO dhe ushtarët amerikanë janë në Veri.

Ambasadori deklaroi se nuk është duke u zbatuar marrëveshja bazë ashtu siç është shprehur Kurti e Vuçiq.

Ambasadori Hovenier tha se po vazhdon puna me përfaqësuesin e BE-së, Miroslav Lajçak dhe ekipin e tij, për tu përpjekur për të ardhur deri te një mirëkuptim i përbashkët rreth mënyrës më të mirë për të zbatuar këto marrëveshje.

“Mendoj se kjo është pyetje shumë me rëndësi dhe mendoj se keni të drejtë kur thoni se ka pasur një varg deklaratash nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë siç e thatë edhe ju, nga kancelari i Gjermanisë, presidenti i Francës dhe kryeministrja e Italisë, për të dy vendet për të zbatuar në tërësi dhe shpejt të gjitha detyrimet e marra sipas Marrëveshjes bazë dhe aneksit të zbatimit. Shtetet e Bashkuara pajtohen tërësisht me këtë. Gjithashtu, mendojmë se kjo është çështje me rëndësi dhe mjaft urgjente”, tha ai në T7.

Ai tha qartazi se marrëveshja bazë mes dy vendeve nuk po zbatohet.

“Sa i përket pyetjes suaj se a po zbatohet plotësisht, mendoj se përgjigja është jo, jo ende, por po ashtu e di që po vazhdon puna përkitazi me përfaqësuesin e BE-së, Miroslav Lajçak dhe ekipin e tij, për tu përpjekur për të ardhur deri te një mirëkuptim i përbashkët rreth mënyrës më të mirë për të zbatuar këto marrëveshje. Por, të mos ketë asnjë gabim, ajo që Shtetet e Bashkuara shpresojnë të shohin, presin të shohin është zbatim i plotë dhe i tërësishëm nga të dy palët të të gjitha detyrimeve sipas marrëveshjes bazë dhe aneksit të zbatimit”, u shpreh ai.

Hovenier ka folur edhe për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë.

AI ka thënë se dallimet po ngushtohen, duke theksuar se një marrëveshje është afër.

Hovenier ka thënë se kjo është çëshjte e emisarit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, por e dinë që dallimet po ngushtohen.

”E kam të vështirë të them saktësisht ku qëndrojnë negociatat sepse kjo është çështje për Miroslav Lajçakun dhe ekipin e tij. Por, e di se dallimet po ngushtohen. Para pak kohëve pati takim të krye-negociatorëve dhe sa e kam kuptuar unë ata janë më afër një marrëveshjeje apo mirëkuptimit rreth mënyrës më të mirë për zbatimin e asaj marrëveshjeje. Më lejoni ta them edhe këtë sepse kjo është një objektivë me të vërtetë e rëndësishme për të dy vendet: të dy vendet do të përfitojnë jashtëzakonisht shumë nga zbatimi i plotë dhe i tërësishëm i detyrimeve të tyre sipas marrëveshjes dhe aneksit të zbatimit. Letra e liderëve që iu referuat më herët flet për rëndësinë që këto të bëhen paralelisht. Kosova ndërmerr një hap dhe njëkohësisht edhe Serbia ndërmerr një hap. Duhet të ketë një lloj të këtillë të paritetit dhe të dyja duhet të ndërmarrin veprim të njëmendtë dhe duke e bërë këtë përfitojnë të dy vendet”, ka thënë ai.

Hovenier ka folur edhe për shqetësmet e presidentes, Vjosa Osmani për draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai ka thënë se Osmani mund t’’i ofrojë pikëpamjet e saj në Gjykatën Kushtetuese.

Tutje ai ka thënë se ka diskutuar disa herë me presidenten Osmani në lidhje me këtë çështje.

”Nuk është vetëm… E para, kam pasur rastin të diskutoj disa herë me presidenten Osmani dhe nuk e di… dua të them, ajo mund të flasë për veten e saj, por nuk e di a është e drejtë që pikëpamjet e saj të cilësohen si dyshime e jo siç mendoj unë që i kuptoj shqetësimet e saj se ka mënyra që potencialisht mund të keqinterpretohen se nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

“Si presidente, natyrisht ajo ka të drejtë të shprehë shqetësimet e saj dhe pasi të jetë miratuar dhe të jetë dërguar në Gjykatën Kushtetuese për rishikim – që duhet të ndodhë, është pjesë e procesit – sa e kuptoj unë, ajo, si presidente e Republikës, e ka mundësinë t’ia ofrojë Gjykatës Kushtetuese pikëpamjet e saj. Unë mund të shpreh vetëm pikëpamjen e qeverisë së Shteteve të Bashkuara: ne besojmë se çfarëdo Asociacioni i komunave me shumicë serbe që themelohet duhet t’i përmbushë një varg të kritereve të ndryshme. I pari: duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e tanishme të Kosovës; që të mos ketë ndryshime kushtetuese. I dyti: duhet të jetë në përputhje me vendimin e mëhershëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Nuk duhet të ketë autoritet ekzekutiv. Nuk duhet të jetë nivel tjetër i qeverisjes”.

“Pra, ne – dhe partnerët tanë evropianë – e vlerësojmë që ky draft-statut, i cili i është dorëzuar qeverisë së Kosovës, i përmbushë këto kritere. I përmbushë ato; është kufizuar në ato mënyra. Prandaj, jemi të bindur se mund të ecë më tej si i tillë. Edhe diçka, që mendoj se e kam thënë më herët, por mendoj se është e rëndësishme ta përsëris: çështja nëse ky draft-statut është kushtetues apo jo mund të përgjigjet vetëm nga një organ. Sigurisht jo nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo kushdo tjetër. Kjo është përgjegjësi e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Për këtë arsye, sipas këndvështrimit tim, është mjaft e rëndësishme dhe urgjente që qeveria të përfundojë procesin e saj, ta miratojë atë dhe ta çojë tutje ashtu që Gjykata të vendosë”, ka thënë ambasadori amerikan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat