Krasniqi: Trendafilova dy herë anuloi vizitën, kësaj radhe shteti i ofroi siguri

Aktuale

Krasniqi: Trendafilova dy herë anuloi vizitën, kësaj radhe shteti i ofroi siguri

Më: 1 dhjetor 2023 Në ora: 08:10
Frashër Krasniqi

Policia e Kosovës ka arrestuar dje gjashtë aktivistë të PSD-së, pas protestës së tyre kundër ardhjes së kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova. Sipas anëtarit të PSD-së, Frashër Krasniqi, ky reagim i Policisë ka qenë brutal dhe i pakuptueshëm.

Krasniqi thotë se Trendafilova ka anuluar vizitën e saj dy/tre herë në Kosovë, për shkak të paralajmërimeve të PSD-së për protestë, por dje sipas tij, pushteti “vendosi me dhënë një mësim tjetër”.

“Që dy/tri herë që ka dashtë me ardhë Trendafilova, ne kemi paralajmëruar protestë dhe është anuluar vizita e saj. Sipas Trendafilovës është anulu për shkak se shteti i ka thënë nuk kemi siguri, kështu që leje mos hajde këtë herë. Dhe ajo nuk ka ardhur që dy ose tri herë për shkak se kemi paralajmëruar protestë. Këtë herë, pushteti vendosi me dhënë një mësim tjetër. Me thënë jo jo kadal, unë megjithatë i bëj vend Gjykatës Speciale edhe me kushtin që i dhunojë qytetarët, madje edhe gazetarët që dalin aty”, deklaroi ai.

Ish-deputeti Krasniqi thekson se Policia dje ka pasur urdhëra politik me qëllim që të japë mësim se Qeveria Kurti do i rrijë mbrapa dhe do ta mbrojë Gjykatën Speciale.

Dhe e dyta pse është shumë politike intervenimi brutal i Policisë dhe s’ka të bëjë fare as me ruajtjen e qetësisë publike, por ka të bëjë me urdhëra politik, është për shkak se tymi që është hedhur dje nga protestuesit, është tym i fishekzjarreve që përdoren nëpër stadiume të futbollit…janë përdorur prej PSD-së tash e tri katër herë nëpër aksione të ndryshme. Kurrë nuk ka pasur intervenim të Policisë. Sepse është konsideruar se nuk është diçka e dëmshme…dje pra synimi i Policisë ka qenë me arrestu, me shpërbë masën aty, për me dhënë mësim që qikjo Qeveri ka me i nejt pas Gjykatës Speciale dhe e mbron atë, dhe ia garanton rehatinë dhe qetësinë saherë do me ardhë Trendafilova apo kushdo i Gjykatës Speicale”, shtoi ai.

Pas protestës dje, PSD-ja njoftoi se i janë arrestuar kryetari Dardan Molliqaj, Zgjim Hyseni, Nol Nushi, Korab Korça, Agron Kabashi dhe Gent Ibrahimi.

Protestuesit kanë hedhur mjete tymuese dhe shpërthyese dhe për t’i shpërndarë të njëjtit, Policia ka përdorur gaz lotsjellës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat