​Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese: Asociacioni një e keqe e domosdoshme, do të ketë pushtet specifik

Aktuale

​Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese: Asociacioni një e keqe e domosdoshme, do të ketë pushtet specifik

Më: 2 dhjetor 2023 Në ora: 11:42
Kadri Kryeziu

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, thotë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është një e keqe e domosdoshme që do t’i hapë rrugë fuqizimit ndërkombëtar të Kosovës.

Profesori i të drejtës kushtetuese, deklaron për Kp, se drafti i Asociacionit i propozuar nga euro-amerikanët, është në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjet për vetëqeverisje lokale dhe Kartën Evropiane për vetëqeverisje lokale. Megjithatë, ai thekson se verdiktin final duhet ta jap Gjykata Kushtetuese, derisa shpreh dy shqetësime që sipas tij, janë te referimi i rezolutës 1244 ,te preambula e statutit, si dhe referimi i palëve te një komision i arbitrazhit në rast se qeveria dhe asociacioni kanë mospajtime.

Kryeziu: Asociacioni një e keqe e domosdoshme, Gjykata Kushtetuese të jep verdiktin final

“Ne kemi shqetësim por (Asociacioni) kisha me quajt një e keqe e domosdoshme, e cila në të ardhmen në bazë të garancioneve ndërkombëtar,e do t’i hap rrugë Kosovës që të integrohen në mekanizma ndërkombëtar, siç është Interpoli, OSBE-ja, Këshilli i Evropës, OKB-ja dhe kështu me radhë... Barrën kryesore e ka Gjykata Kushtetuese, e cila është një institucion që do të jep verdiktin e fundit. Nëse konsiderohet se ka ndonjë dispozitë që është në kundërshtim me Kushtetutën, ajo duhet të bie. Do të punohet në mënyrë profesionale dhe politike, pasi ka të bëjë me integrimin e një institucioni të veçantë në Republikën e Kosovës”, thotë ai.

Kryeziu thotë se në bazë të draftit të publikuar nga ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, Asociacioni do të ketë një pushtet specifik lokal me disa kompetenca vetanake, që garantohen edhe përmes Kushtetutës dhe Pakos së Ahtisarit.

Kryeziu: Asociacioni do të ketë pushtet specifik lokal me disa kompetenca vetanake

“Është një institucion specifik në të cilën kompetencat apo pushteti shtetëror është pushtet komunal. Në bazë të bindjes sime ajo quhet autonomi, vetëqeverisje, vetëadministrim apo vetëmenaxhim. Të gjitha këto nocione nënkuptojnë që minoriteti serbë do të menaxhojë me katër dikastere kryesore të qeverisë lokale, të ekonomisë, kulturës, arsimit dhe urbanizmit...Konsideroj se është një pushtet special i veçantë. Është pushtet pasi për mos me qenë pushtet s’ka pas nevojë që të bëhen të gjitha këto zhurma politike dhe juridike. Por karakteri i këtij pushteti është pushtet lokal specifik, special me kompetenca vetanake për minoritetet, ku i garanton edhe pako e Ahtisarit dhe Kushtetuta jonë, duke u bazuar në ligjet pozitive, siç është Ligji për vetëqeverisjen lokale dhe Ligji për marrëdhëniet ndër komunale, ku në preambulë parashihet edhe Karta evropiane për vetëqeverisje lokale”, thekson Kryeziu.

Megjithatë, ai shpreh dy shqetësime që sipas tij, janë te referimi i rezolutës 1244, te preambula e statutit, si dhe referimi i palëve te një komision i arbitrazhit në rast se qeveria dhe asociacioni kanë mospajtime.

Kryeziu: Dilemat janë tek rezoluta 1244 dhe komisioni i arbitrazhit

“Dilemat janë tek rezoluta 1244 dhe një komision i arbitrazhit, i cili duhet bërë nëse pushteti lokal është në kundërshtim ndonjëherë me pushtetin qendror. Unë e kisha shpjeguar 1244, se ai ka prodhuar dy misione. Misionin civil i cili është quajtur UNMIK, i cili ka pasur detyrë ngritjen e administratës shtetërore dhe misionin ushtarak KFOR-in, i cili është aktiv pasi ka detyrë mbrojtjen e paqes dhe integritetit territorial të Kosovës. Si do të shpjegohet varet nga ata që e kanë projektuar këtë draft-statut për të treguar se çka nënkupton rezoluta 1244 dhe çka nënkupton ky komisioni i arbitrazhit”, deklaron Kryeziu.

Sipas tij, garancia e propozimit euro-amerikanë, është se statuti i Asociacionit do të shkojë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese, derisa përmend se për të njëjtën kanë punuar shkollat juridike, franceze, gjermane, amerikane dhe shqiptare.

Kryeziu: Për këtë draft kanë punuar shkollat juridike franceze, gjermane, amerikane dhe shqiptare

“Ky draft ka bazën kryesore e ka në marrëveshjen e vitit 2013. Është produkt komulativ i katër drafteve që kanë punuar shkollat juridike, franceze, amerikane, gjermane dhe shqiptare. Ky draft është definitiv dhe pastaj me dekretimin e kryeministrit do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese për me dhënë verdiktin e fundit...07:18 Asnjë çështje dhe asnjë institucion apo mekanizëm i cili krijohet në Kosovë nuk guxon të jetë në kundërshtim me Kushtetutën apo ligjet pozitive që janë në Kosovë. Kjo është ajo vija e kuqe që duhet përmendur faktorit ndërkombëtar”, përfundon Kryeziu.

Diplomatët euro-amerikanët më 21 tetor paraqitën një plan të ri për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, ku mes tjerash prezantuan një draft për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes, që flet për vetëmenaxhimin e serbëve në Kosovë, rrjedhimisht themelimin e Asociacionit, të cilin kryeministri Kurti tha se është i gatshëm të nënshkruajë, krahas marrëveshjes bazë dhe aneksit.

Drafti nga institucionet kosovare nuk është publikuar ende, megjithatë, së fundmi i është dorëzuar edhe partive opozitare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat