​Petritsch: Nuk shoh përparim në dialog deri më 2025, prioritet i BE-së dhe ShBA-së parandalimi i luftës në Ballkan

Aktuale

​Petritsch: Nuk shoh përparim në dialog deri më 2025, prioritet i BE-së dhe ShBA-së parandalimi i luftës në Ballkan

Më: 2 dhjetor 2023 Në ora: 11:49
Wolfgang Petritsch

Presidenti i Institutit Austriak për Çështje Ndërkombëtare, Wolfgang Petritsch, është skeptik se do të ketë progres në dialogun Kosovë-Serbi edhe gjatë vitit 2024. Ai thotë se zgjedhjet e parakohshme të sivjetme në Serbi dhe zgjedhjet e rregullta gjatë vitit të ardhshëm në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tregojnë se s’do të ketë përparim konkret në dialog, në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit. Sipas tij, viti i ardhshëm më shumë do të fokusohet në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërmjet dy vendeve dhe në tërësi rajonit.

Ish-i dërguari i posaçëm i BE-së për Kosovën dhe ish-negociatori kryesor i BE-së në bisedimet për paqe në Kosovë, Wolfgang Petritsch në një intervistë për KosovaPress, mirëpret shtimin e forcave të NATO-s në Kosovë, për të parandaluar siç thotë ai incidente sikur ai i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, agresion të cilin institucionet e Kosovës e quajnë terrorist dhe të sponsorizuar nga Serbia.

Thotë se nevojitet kujdes i shtuar që “asgjë të mos ndodh në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Petritsch: Jam skeptik se do të ketë progres në dialog

“Unë jam shumë skeptik për momentin. Mendoj se duhet të jemi të vetëdijshëm për faktin se në Serbi ka zgjedhje, zgjedhjet janë pothuajse kohë të kontestimeve të forta dhe shkeljes së rregullave themelore demokratike. Pra, duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm tani që asgjë të mos ndodh në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Prandaj e mirëpres shumë forcimin e forcave ndërkombëtare atje, dhe dua të them se është në një farë mënyre një ironi, ju kujtohet ndoshta që në vitin 1999, unë isha duke negociuar së bashku me SHBA-në dhe një përfaqësues rus në Rambuje për një marrëveshje paqeje... dhe pse Serbia në atë kohë nuk e nënshkroi marrëveshjen ishte sepse nuk dëshironte të shihte forcat ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë. Tani, presidenti Vuçiq po thotë se ‘ne kemi nevojë për një KFOR më të fortë’. Pra, këtu, ju shihni se në fakt komuniteti ndërkombëtar ka bërë diçka të drejtë, tani edhe të pranuar nga Beogradi... Ne duhet të sigurojmë një mjedis të sigurt për njerëzit, për qytetarët dhe ne kemi nevojë që të dyja palët të jenë të vendosura se çfarë po bëjnë politikisht dhe si po frenohen atje ekstremistët. Fatkeqësisht ne kemi parë një përplasje ekstremiste në shtator të këtij viti, kjo nuk duhet të ndodhë më kurrë, dhe mendoj se KFOR-i tani është në gatishmëri dhe do të parandalojë çdo incident të tillë në të ardhmen”, thotë ai.

Përkitazi me këtë, ai thekson se ka vendosmëri të re dhe vigjilencë ekstreme nga amerikanët për sigurinë në rajon dhe fokusimin në zbatimin e obligimeve në dialog.

Petritsch: Në vitin 2025 duhet të arrihet marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

“Mendoj se mesazhi ishte shumë i qartë nga ana e Shteteve të Bashkuara, si dhe nga ana e Bashkimit Evropian. Jo më dhunë në kufi. Unë sapo pata një takim fundjavën e kaluar me ambasadorin e SHBA-së në Serbi, z. Hill, dhe pata një takim edhe me z. Escobar disa ditë më parë, i cili erdhi në Vjenë dhe të dy thanë se ekziston një vendosmëri e re tani, dhe ‘ka një vigjilencë ekstreme dhe ne do të presim se çfarë do të sjellin zgjedhjet në Serbi, në aspektin e rezultateve politike, dhe pastaj besoj se duhet të vazhdojmë dialogun’. Por, duhet t'ju them se dialogu ka qenë shumë i rëndësishëm dhe shumë i suksesshëm në vitet e para, fatkeqësisht, në 10 vitet e fundit, që nga viti 2013, progresi është zvogëluar dhe pas zgjedhjeve edhe në Bashkimin Evropian, që ju sigurisht jeni të vetëdijshëm se do të zhvillohen vitin e ardhshëm, si dhe zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, që do të thotë se viti 2024 nuk do të ketë një përparim masiv, kam frikë se 2024 do të jetë për të ruajtur paqen dhe sigurinë në rajon. Por duhet të përdoret nga ekspertët e të dyja palëve, nga diplomacia e kryeqyteteve, duhen bërë ndërhyrje diplomatike në mënyrë që të ketë përgatitje, që me shpresë në vitin 2025, kur të mbarojnë të gjitha zgjedhjet, të ketë një komision të ri në Bruksel, qeveri të re në Beograd, dhe atëherë shpresojmë se 2025 do të jetë vit ku një zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve mund të hidhet realisht në letër, të nënshkruhet dhe të bihet dakord”, deklaron ai.

Duke folur për situatën e sigurisë, Petritsch, thotë se komuniteti ndërkombëtar është bërë shumë më vigjilent për rajonin, derisa thekson se parandalimi i luftës në Ballkan është prioriteti numër një si për BE-në, ashtu edhe për ShBA-në.

Petritsch: BE-ja dhe ShBA-ja prioritet numër një kanë parandalimin e luftës në Ballkan

“Epo, mund t'ju them qartë se komuniteti ndërkombëtar është bërë shumë më vigjilent dhe më i shqetësuar për situatën e sigurisë. Parandalimi i luftës në Ballkan është prioriteti numër një si për Evropën ashtu edhe për Shtetet e Bashkuara. Pra, edhe në rajon, edhe në Kosovë por edhe në Bosnje e Hercegovinë kemi forcimin e masave paraprake të sigurisë dhe kjo do të thotë që ne, bashkësia ndërkombëtare, do të kujdesemi që të mos përsëritet asgjë nga ajo që ka ndodhur në të kaluarën. Nuk ka vend për një incident tjetër si në Banjska, kjo është e qartë dhe mendoj se paralajmërimi se mund të shpërthejë një luftë; mendoj se Rusia tani është aq shumë e angazhuar në mbrojtje në Ukrainë sa nuk do të luajë një rol aktiv. Megjithatë, ju kurrë nuk e dini se çfarë mund të bëjnë paraushtarakët, apo ndoshta ekstremistët e tjerë si në Republikën Serbe. Kjo është diçka që po e shohim me shumë kujdes dhe kam shumë besim se do të kemi sukses”, thotë ai.

Presidenti i Institutit Austriak për Çështje Ndërkombëtare, Wolfgang Petritsch, foli edhe për samitin e OSBE-së që u mbajt gjatë kësaj jave në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Petritsch: është e qartë se Rusia është agresori

“Epo, dua të them, mendoj se faktet janë vërtetuar mirë. Është shumë e qartë se Rusia është agresori në këtë konflikt. Megjithatë, në aspektin politik, në mënyrë të qartë, ka pasur disa zhvillime në 10-15 vitet e fundit në marrëdhëniet midis Ukrainës dhe Rusisë, ku në veçanti, Ukraina vendosi të lëvizë drejt Perëndimit, të përqafojë vlerat perëndimore, dhe të përqafojë rregullat dhe rregulloret perëndimore, dhe ka vendosur të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që është shumë qartë një shqetësim i madh për fqinjin e saj, Rusinë. Kështu që politikisht kam një kuptim dhe vlerësim që Moska ishte mjaft e shqetësuar gjatë dy viteve të fundit, por mund të them gjithashtu se duhet të përjashtojmë absolutisht luftën, dhe ndërhyrja ushtarake është një mjet politik për të arritur rezultate. Lufta në Evropë është e ndaluar që nga viti 1945, Bashkimi Evropian u krijua si një projekt paqeje në mbarë Evropën. Dhe, kjo është në të njëjtën kohë edhe dobësia e Evropës, ne nuk kemi një ushtri të përhershme. Por, unë mendoj se ky është mesazhi i qartë edhe për Rusinë. Dëgjoni, ju nuk duhet të përdorni dhunën, ndërhyrjen ushtarake kur bëhet fjalë për zgjidhjen e çështjeve, kthehuni në tryezë, përdorni vendndodhjen e OSBE-së në Vjenë për të diskutuar se si të arrihet paqja dhe si të merren parasysh shqetësimet e Rusisë. Por, duke shkelur qasjen paqësore që cilën përfaqëson Evropa, tani Rusia duhet së pari të ndalojë luftën dhe më pas ne mund të fillojmë negociatat. Vizita e Lavrov, takimi edhe me homologun amerikan është jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse tregon se OSBE-ja ka një funksion të rëndësishëm. Por nëse aktivizohet, kjo përçarje, kjo vërtet varet shumë nga Rusia tani”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat