Juristja hedh dyshimet e forta pasi Murseli u fut fshehurazi në gjykatë: Kush nga institucionet po e mbron reputacionin e tij?

Aktuale

Juristja hedh dyshimet e forta pasi Murseli u fut fshehurazi në gjykatë: Kush nga institucionet po e mbron reputacionin e tij?

Nga: A.Zh Më: 3 dhjetor 2023 Në ora: 11:02
Liridona Ademaj dhe Naim Murseli

Juristja e mediave Flutura Kusari, ka reaguar pas lajmit se të dyshuarin për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murselin, e kanë futur në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot përmes një hyrjeje të fshehtë.

Ajo ka pyetur se kush nga institucionet është duke u përkujdesur për mbrojtjen në masë kaq ekstreme të reputacionit të tij dhe tjerëve, përcjell Bota sot.

Sipas Kusarit, jashtë ndërtesës së gjykatës nuk duhet të ketë kufizime, pasi Murseli është figurë publike dhe ai akuzohet për një krim të rëndë, të cilin e ka pranuar edhe vet.

Reagimi i saj në Facebook:

Gazetarët po thonë dhe po raportojnë që të dyshuarin Naim Murseli dhe të tjerët i kanë shti në gjykatë sot përmes një hyrje të fshehtë për t'ua rujtur privatësinë dhe reputacionin e tyre.

Pajtona që në seancë gjyqësore brenda në gjykatë të ketë kufizime në raportim por jam tepër e shqetësuar që shteti tashmë paska fillu me e mbrojtë të dyshuarin Naim Murselin dhe me u përkujdesë për reputacionin e tij deri në atë masë sa me i shti në gjykatë përmes hyrjeve sekrete.

Me vite të tëra kemi pa raportime të gazetarëve me pamje të ministrave, deputetëve, njerëzve të akuzuar për terrorizëm, vrasje, dhunim etj duke hy në gjykatë ndërsa Naim Murseli po u deshka me u kursy nga kjo praktikë.

Mediat kanë nevojë për pamje jashtë gjykatës, për të bërë raportimin e tyre më të kuptueshëm dhe më të kapshëm për publikun.

Murseli është figurë publike, fotoja e tij është fotoja më e publikuar këto ditët e fundit, ai akuzohet për një krim të rëndë të cilin e ka pranu vetë, ai është në gjykatë sot sepse me vetëdijë dhe me veprime të tij e ka sjellë vetën në atë gjendje dhe për këtë duhet të japë llogari para drejtësisë.

Nuk mjafton që drejtësia të bëhet, por drejtësia duhet të shihet duke u bërë. Nuk ka asnjë arsye përse të mos lejohen mediat të xhirojnë të dyshuarit duke hy dhe duke dalë nga gjykata.

Kush nga institucionet është duke u përkujdesë për mbrojtjen e reputacionit të tij dhe tjerëve dhe përse? Çfarë motivi kanë për të mbrojtur të dyshuarit në masë kaq ekstreme?

Edhe njëherë, pajtohem që brenda në gjykatë gjatë seancës të ketë kufizime, por jo edhe jashtë ndërtesës së gjykatës.

(postim i përkohshëm)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat