Dhimbje e papërshkrueshme: Përfundon ceremonia e rivarrimit të Liridonës

Aktuale

Dhimbje e papërshkrueshme: Përfundon ceremonia e rivarrimit të Liridonës

Më: 4 dhjetor 2023 Në ora: 07:19 Përditësuar në ora: 15:15 më 04.12.2023
Foto nga vendi i ngjarjes

Sveçla, Hajdari, Haxhiu e Gërvalla marrin pjesë në rivarrimin e Liridona Ademajt

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla po merr pjesë në rivarrimin e Liridona Ademajt, 30-vjeçares e cila u vra mizorisht të mërkurën në Bërnicë të Prishtinës.

Pjesëmarrëse në rivarrim janë edhe dy ministret Donika Gërvalla e Rozeta Hajdari.

Me kërkesë të familjarëve, trupi i Liridona Ademajt, e cila u vra të mërkurën mizorisht në Prishtinë, u zhvarros nga varrezat e fshatit Cërmjan të Gjakovës dhe po varroset në fshatin e saj të lindjes, Rracaj.

Prokuroria e miratoi kërkesën e familjes për rivarrimin e 30-vjeçares, e cila dyshohet se u vra në një skenar të organizuar nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli. Ai dje doli për herë të parë para gjykatës, së bashku me Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën, dy të pandehurit tjerë me të cilët ekziston dyshimi i bazuar mirë se e organizoi vrasjen e Liridonës.

Gjykata Themelore e Prishtinës dje ua caktoi nga një muaj paraburgim secilit, pasi sipas gjykatëses së procedurës paraprake, “ekzistojnë bazat dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale”.

Rivarrimi i Liridona Ademajt nëpërmjet fotografive

Sot, nga fshati Cermjan është zhvarrosur trupi i Liridona Ademajt.

Me kërkesë të familjarëve, rivarrimi është duke u bërë në Rracaj të Gjakovës.

Trupi i Liridona Ademajt, u varros të premten në fshatin Cermjan të Gjakovës, nga vjen bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

Image

 

 

Familja Ademaj hap të pame, përgatitet për rivarrosjen e Liridonës

Familjarët e Liridona Ademaj, kanë hapur të pame në fshatin Rracaj ku pritet të rivarroset, 30-vjeçarja e vrarë javën e kaluar në Prishtinë.

Ajo është zhvarrosur nga varrezat e fshatit Cërmjan të Gjakovës, ku ishte varrosur fillimisht.

Me kërkesë të familjarëve, rivarrimi do të bëhet në fshatin e saj të lindjes. Familjarët kanë bërë të ditur se rivarrimi do të bëhet nga ora 14:00.

Gjykata Themelore e Prishtinës, ua ka caktuar nga 30 ditë paraburgim, Naim Murselit, Granit Plavës, dhe Kreshnik Kokallës, të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt.

I dyshuari kryesor, Naim Murseli, ka organizuar vrasjen e gruas së tij duke paguar 30 mijë euro për kryerjen e këtij akti makabër.

Liridona Ademaj, u vra në Bërrnicë të Prishtinës, më 29 nëntor.

Zhvarroset Liridona Ademaj, do të rivarroset në fshatin e saj

Është zhvarrosur nga varrezat e fshatit Cernjan të Gjakovës trupi i pajetë i Liridona Ademajt, e cila u vra mizorisht të mërkurën në Prishtinë.

Ajo do të rivarroset në fshatin e saj të lindjes, Rracaj.

Rivarrimi  do të bëhet në orën 14:00.

Trupi i Liridona Ademaj-Murseli, vrasja e së cilës dyshohet se u porosit nga bashkëshorti i saj për 30 mijë euro, do të rivarroset sot në Rracaj të Gjakovës.

Prokuroria ka pranuar kërkesën e së familjarëve të viktimës për zhvarrosjen e trupit nga varrezat e fshatit Cërmjan të Gjakovës.

“Njoftim mortor nga familja Ademaj. Familja Ademaj njofton miq, shokë e dashamir se rivarrimi i vajzës tonë Liridona Ademaj e vrarë me datën 29.11.2023 bëhet nesër me datë 4 dhjetor 2023 në varrezat e fshatit Rracaj në ora 14:00”, thuhet në njoftim.

Ndërsa Prokuroria ka bërë thirrje të respektohet e drejta e privatësisë gjatë procedurës së rivarrimit të trupit të Liridonës, pas kërkesës së familjarëve të saj.

“Gjithashtu, iu bëjmë apel që të tregoni konsideratë karshi familjarëve të viktimës, lidhur me shkrimet e publikuara ndaj kësaj çështjeje, kjo pasi ka qenë kërkesë e vetë familjarëve të viktimës tek organet e hetuesisë, meqenëse në këto çaste janë duke përjetuar momente të vështira dhe kërkojnë të respektohet e drejta e privatësisë edhe gjatë procedurës së rivarrimit të trupit të viktimës”, thuhet në njoftim.

Bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli, u arrestua të premten (1 dhjetor) vetëm disa orë pasi i organizoi ceremoninë mortore gruas së tij. Dyshohet se ai i kishte ofruar 30 mijë euro shtetasit Granit Plava për t’i vrarë bashkëshorten.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat