Vrasja e Liridona Ademajt/ Avokatja tregon dënimet që i presin dorasit dhe organizatorët e atentatit

Aktuale

Vrasja e Liridona Ademajt/ Avokatja tregon dënimet që i presin dorasit dhe organizatorët e atentatit

Më: 5 dhjetor 2023 Në ora: 17:51
Naim Murseli dhe gruaja e tij

Vrasja e 30 vjeçarës, Liridona Ademaj më 29 nëntor ka tronditur Kosovën.

Ajo u vra në fshatin Bërnicë të Prishtinës pas orës 20:00.

Fillimisht u raportua se vrasja ndodhi gjatë një grabitjeje. Më 1 dhjetor Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave të dyshuar, dorasin Granit Plavën dhe Naim Murselin, burrin e viktimës.

Po ashtu, Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar se i dyshuari i tretë në këtë rast është edhe pjesëtari i FSK-së, Kushtrim Kokalli.

Më 3 dhjetor është mbajtur seanca dëgjimore në departamentin e krimeve të rënda.

Gjykata Themelore ka caktuar të dielën masën e paraburgimit për një muaj për tre të dyshuarit për vrasjen e Liridona Ademajt.

Prokuroria ka dalë me deklaratë se dyshohet që bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli organizoi vrasjen, siguroi armën për dorasin dhe premtoi 30 mijë euro shpërblim.

Se sa vite mund të dënohen të dyshuarit për vrasjen e Ademajt, ka folur avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi.

Ajo tha se bashkëshorti i viktimës dhe dorasi mund të përfundojnë në burgim të përjetshëm.

Ndërsa i dyshuari i tretë, sipas Gashi-Bytyqit mund të dënohet ndryshe nga dy të parët.

“Rrezikojnë me burg të përjetshëm dorasi dhe bashkëshorti i viktimës, ndërsa i dyshuari pjesëtari i FSK-së, dhënia e ndihmës në vrasje ¾ e dënimit”, ka deklaruar avokatja Gashi-Bytyqi.

Në njoftimin e bërë nga Gjykata thuhet se “ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës”.

“Në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, njofton Gjykata.

Vrasja e Liridona Ademajt ka shkaktuar reagime të shumta të institucioneve dhe shoqërisë civile.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka kërkuar dënime të ashpra për vrasësit e Ademajt.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti tha se nuk mjafton vetëm arrestimi, kërkoi dënime meritore.

Tek drejtësia në Kosovë beson edhe vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj.

Ai tha se besojnë në drejtësi e kërkoi të mos vritët më asnjë grua.

Gjithashtu, Liridona Ademaj u rivarros të hënën në vendlindjen e saj në fshatin Rracaj të Gjakovës.

Me kërkesë të familjarëve, ajo u zhvarros nga varrezat e fshatit Cermaj të Gjakovës, ku ishte varrosur fillimisht.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbajtur një aksion simbolik të dielën para Pallatit të Drejtësisë, me thirrjen “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”.

Po kjo organizatë ka thirrur protestë gjithë popullore të martën në Prishtinë rreth orës 18:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat