​Kurti: Historianëve iu takon të flasin për veprën e Pjetër Bogdanit

Aktuale

​Kurti: Historianëve iu takon të flasin për veprën e Pjetër Bogdanit

Më: 6 dhjetor 2023 Në ora: 21:18
Pamje nga vendi i ngjarjes

Janë përmbyllur “Ditët e Bogdanit” me një akademi solemne sonte në 334-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, në qendrën "Bogdani Polis" në Katedralen e Prishtinës.

Me këtë rast, kryeministri, Albin Kurti u shpreh se Pjetër Bogdani ishte një studiues dhe teolog me vlera.

Ai tha se për veprat e tij iu takon historianëve të flasin, ndërsa popullit i mjafton të bashkohen çdo vit në shënimin e “Ditëve të Bogdanit”.

Kurti: Popullit i mjafton të mblidhet çdo vit në “Ditët e Bogdanit”

“Pjetër Bogdani vdiq në një kohë kur po i printe mijëra vendas në luftërat austro- osmane në shekullin 17, vetëm katër vjet më parë 1685 Bogdani e kishte botuar librin "Çeta e Profetëve", cilësuar si vepër e parë origjinale e shkruar në gjuhën shqipe. Fjalët për veprën e Pjetër Bogdanit u takojnë studiuesve kompetentë të fushave përkatësve të historisë, gjuhësisë dhe teologjisë. Ne të tjerëve na mjafton që emri i Pjetër Bogdanit na bashkon çdo vit në Ditët e Bogdanit”, tha Kurti.

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji ka folur për historinë dhe jetën e imzot Lazër Mjedës, duke thënë se ditët e shërbimit të tij ishin plot mjerim. Ai tha se jetën dhe veprën e Mjedës e kemi shprehur me thënien “Bac, u kry”, por sipas tij ka ende shumë punë për të bërë për popullin dhe kombin.

Gjergji: Ditët e shërbimit ndaj fesë për Lazër Mjedën ishin plot me padrejtësi

“Me punën e tij të palodhshme në ushtrimin e detyrës së bariut, zgjuarsinë intelektuale, urtësinë njerëzore, guximin patriotik dhe dashurin, Lazër Mjeda arriti t’i pushtojë besimin, të kryejë detyrat e tij dhe t’i mbetej besnik kombit, varësisht sfidave të kohës dhe vështirësive të mëdha që kishte dhe shumëçka tjetër. Megjithëse vitet dhe ditët e shërbimit të tij ishin përplot mjerim, padrejtësi dhe pamundësi veprimi. Pa dyshim, mund të konfirmojmë edhe një herë se që ky burrë, një nga më të respektuarit të veprimtarive kishtarë, të cilët jetuan dhe vepruan në rrethana të vështira dhe sakrifica të mëdha, për dashurinë për atme (atdhe) dhe në fe, nuk e vuan në diskutim. Lazër Mjeda jetoi dhe veproi në kohën e tmerrshme të ngjarjeve fatkeqe të kishës katolike dhe kombin shqiptar në këto troje kur mendohej se gjithçka kishte përfunduar mbajti shpresën që një ditë do të ndriçojë liria mbi ne, që ne sot e kemi shpreh më një thënie "Bac, u kry", por ka ende punë për të bërë dhe formësuar dinjitetin e unitetin,” tha Dodë Gjergji.

Ndryshe, më 5 e 6 dhjetor, nën iniciativën e Institutit të Historisë “Ali Hadri” Prishtinë, Ipeshkvisë së Kosovës dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve Shkup, janë organizuar ditët studimore e përkujtimore kushtuar figurës, veprimtarisë dhe personalitetit të Pjetër Bogdanit, autor i veprës madhore “Cuneus prophetarum”(1685), një nga më të rëndësishmet përpilime të letërsisë së vjetër shqipe të shekullit 17. Pjetër Bogdani, ndërroi jetë më 6 dhjetor 1689, në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat