Kryeshefi i Inspektoriatit Policor: Policia e Kosovës me performancën më të mirë në rajon

Aktuale

Kryeshefi i Inspektoriatit Policor: Policia e Kosovës me performancën më të mirë në rajon

Më: 7 dhjetor 2023 Në ora: 08:46
Foto ilustrim

Kushtrim Hodaj, kryeshef i Inspektoriatit Policor, ka folur për aktivitetin e këtij institucioni në parandalimin dhe luftimin e krimit dhe keq-menaxhimit policor, si dhe për temat tjera.

Hodaj së pari foli për ngjarjen ditëve të fundit, ku gazetarët u përballën me ‘sprej’ dhe gaz lotsjellës gjatë protestës së organizuar nga PSD, kundër kryetares së Gjykatës Speciale Trendafilova, ku për këtë kishte reagim edhe nga AGK, e cila shprehu shqetësimin për sjelljet e zyrtarëve policorë.

Ai tha se lidhur me këtë ngjarje IPK-ja ka dalë me një komunikatë, ku njoftohet se është nisur një hetim preliminar, duke u bazuar në publikimet në medie, për hetimin e mënyrës së sjelljes apo të menaxhimit të protestës nga ana e zyrtarëve policorë.

“Jemi akoma në proces, ende nuk kemi një verdikt final, sigurisht që nëse vlerësohet se ka elemente të veprës penale ne do të vendosim bashkë me prokurorin e shtetit për të proceduar më tutje”, deklaroi Hodaj.

Lidhur me raportin vjetor të Inspektoratit Policor në parandalimin dhe luftimin e krimit dhe keq-menaxhimit policor, Hodaj tha se zakonisht këtë e bëjnë pas përfundimit të vitit.

“Aktualisht kemi rreth 1560 ankesa të qytetarëve që kemi pranuar në forma të ndryshme, të cilat i kemi trajtuar si Inspektoriat, derisa një numër i veprave penale janë hetuar penalisht, prej nga disa zyrtarë policorë janë hetuar penalisht, numri i të cilëve arrin në 166 zyrtarë policorë, ndërkohë që janë proceduar në Prokurori mbi 160 raste penale; rreth 35 të arrestuar, prej tyre 21 zyrtarë policorë dhe 14 qytetarë, të cilët kanë qenë të përfshirë në veprat penale”, deklaroi Hodaj për RTK-në.

Ai shtoi se numri i ankesave është me një rritje të lehtë për këtë vit, diku rreth 0.4-0.5 për qind, në krahasim me vitin e kaluar. Ndërkaq numri i zyrtarëve të hetuar apo të suspenduar a të arrestuar në vitin e kaluar ka qenë më i madh, për shkak të luftimit të korrupsionit

“Megjithatë, Policia e Kosovës performon më mirë se policitë e rajonit”, deklaroi Hodaj.

Ai lidhur me korrupsionin në radhët e policisë vlerësoi se paga nuk është faktori kryesor që një polic të korruptohet.

Ndërkaq lidhur me rastin e vrasjes së Liridonë Ademajt, dhe të grabitjes së një argjentarie në Suharekë, Hodaj tha se në të dyja këto raste Policia e Kosovës ka vepruar në mënyrë tejet profesionale. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat