Sfidat e Kosovës/ Analistët: Ja si duhet parë kërkesa e serbëve për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në veri

Aktuale

Sfidat e Kosovës/ Analistët: Ja si duhet parë kërkesa e serbëve për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në veri

Më: 7 dhjetor 2023 Në ora: 16:48
Foto ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka marrë kërkesë nga serbët për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në komunat veriore që janë të banuara me shumicë serbe.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, siç raportojnë mediat në Kosovë, është shprehur se kërkesat i është dërguar më 5 dhjetor përmes email-it.

Ai shtoi se KQZ njoftoi kërkuesit që t’i drejtohen kryesuesit të Kuvendit Komunal, pasi sipas tyre, ai është autoriteti kompetent.

Analisti Melazim Koci, gjatë intervistës për emisionin “Ballkan Update” tha se kjo iniciativë e serbëve nuk duhet të bllokohet, pasi në të kundërt do të kishte pasoja për Kosovën.

“Serbët kanë bërë hapin e parë, dhe mendoj se qeveria e Kosovës të gjejë hapa dhe ta çojë përpara këtë çështje. Çdo pretekst për të penguar këtë ecje, do të ishte e rrezikshme për Kosovën dhe në këtë kuptim është hapi i parë për të dalë tek marrëveshja, që do të thotë mbajtja e zgjedhjeve”, tha ai.

Një tjetër pikë, e cila u diskutua në “Ballkan Update” ishte dhe propozimi i ambasadorit të SHBA në Beograd, Christopher Hill i cili tha se modeli i duhur për vendet e Ballkanit për të zgjidhur problemet është ai i Vishegradit.

Ai mes tjerash, u shpreh se shembulli që mund të kryejë punë për këto vende që të ecin drejt BE-së është modeli i vendeve të asaj që njihej si Vishegrad, e ku bëjnë pjesë Republika Çeke, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia.

Analisti Koci tha se ky model ka dhënë rezultate te vendet që e kanë aplikuar.

“Deklarata e Hill është e drejtë, sepse modeli i Vishegradit, ka dhënë rezultate. Ata kanë arritur që çështjet kontestuese humanitare dhe kufitare kanë arritur t’i tejkalojnë dhe gati në grup të përfshihen në BE. Është treguar si recetë shumë e suksesshme për rrugën drejt BE. Është model i jashtëzakonshëm që ka dhënë rezultate”, theksoi ai.

Drejtor Ekzekutiv i Qendrës për të Drejtën Humanitare Bekim Blakaj, ndau të njëjtat qëndrime duke shtuar se modelet që shkojnë drejte paqes, duhet të përqafohen dhe të zbatohen mes vendeve, në rastin konkrete midis Kosovës dhe Serbisë.

Ai u ndal edhe tek kërkesa e serbëve, të cilët kanë kërkuar largimin e kryetarëve shqiptarë nga komunat me shumicë serbe.

Sipas Blakajt, Kosova duhet të bëjë çmos që serbët lokalë t’i bëjë pjesë të institucioneve të saj dhe mos të lejojë krijimin e institucioneve paralele në veri.

“Unë besoj se nuk ka qenë asnjëherë alternativë që serbët në veri të mbahen jashtë pushteti lokal atje dhe kjo do të sillte probleme herët apo vonë ne veri . Serbët nuk duhet të lejojnë të krijojnë institucionet e tyre paralele atje. Unë pajtohem me Milazimin, që kjo duhet të jetë rruga, shtensionimi i situatës përmes integrimit te serbëve në institucionet e Kosovës. Këto vende që i kanë kaluar këto mosmarrëveshje tregon mjaftueshme që një situatë e tullë do mund të ishte e zbatueshme edhe me Serbisë dhe Kosovës në rast se Serbia do ta kishte pranuar Kosovën. Çfarëdo marrëveshje, që i zgjedh problemet me paqe dhe që të dyja palët i pranojnë atë marrëveshje, sigurisht është e pranueshme dhe është më e mirë”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat