Statovci: Fjalën e fundit për draftin e Asociacionit do ta jep Gjykata Kushtetuese

Aktuale

Statovci: Fjalën e fundit për draftin e Asociacionit do ta jep Gjykata Kushtetuese

Më: 7 dhjetor 2023 Në ora: 19:22
Jeta Statovci

Deputetja e Listës “Guxo”, Jeta Statovci, thotë se draft statuti i Asociacionit duhet të kalojë në filtrin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Statovci thotë se ka pajtueshmëri politike që ky draft t’i nënshtrohet vlerësimit të Gjykatës, i cili duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Është një draft, i cili ende nuk është shpalosur për anën tjetër, ka qëndruar në kuadër të liderëve të cilët udhëheqin këtë proces. Duke qenë ende draft, është ende në procesin e trajtimit të brendshëm. Në këtë proces ne kemi garancën dhe kemi pajtueshmëri politike që duhet të kalojë në filtrin e Kushtetueses të Republikës së Kosovës, të jetë në përputhje me Kushtetutën”, tha ajo.

E pyetur se ky draft a përkon me Kushtetutën e Kosovës, ajo tregoi që ende nuk e ka parë materialin.

“Nuk mund të gjykoj, parimisht duke mos e parë materialin, mirëpo pa dyshim që fjalën e fundit në këtë aspekt do e jep Gjykata Kushtetuese.

Ndërkohë, sa i përket procesit të dialogut Kosovë – Serbi, Statovci thotë se Qeveria e Kosovës është përballur me presion të madh.

“Ne gjatë procesit të dialogut, i cili është një proces që ka një kohëzgjatje më shumë se 10 vite, mirëpo edhe me dinamikat e veta, Republika dhe Qeveria e Kosovës është përballur me një presion në një konsideratë relativisht të madhe në sensin e dinamikës së dialogut dhe mendoj se ka pasur vazhdimisht pozicionimin e drejtë në sensin konstruktiv, mirëpo edhe në rrethana, duke i lexuar saktë ato rrethana dhe qëllimet e palës tjetër, të cilat kishim në tavolinë. Në raport me pozicionimin tonë dhe në raport me marrëveshjen franko-gjermane, e cila ishte marrëveshje e propozuar nga dy aletatët tanë më të mëdhenj trajtonte çështjet në mes të dy palëve në nivelin e madh, pra të njohjes së njëra tjetrës”, u shpreh deputetja pozitare.

Partitë opozitare kanë pranuar publikisht se e kanë pranuar draftin e statutit të Asociacionit nga Bashkimi Evropian, të cilin Qeveria e Kosovës e ka marrë muaj më parë, ku për të njëjtin ka dërguar disa vërejtje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat