​Zemaj kritikon ministrin Vitia: S’po punon fare për shëndetësinë

Aktuale

​Zemaj kritikon ministrin Vitia: S’po punon fare për shëndetësinë

Më: 8 dhjetor 2023 Në ora: 12:41
Armend Zemaj

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, në konferencë për medie të premten, tha se faktet tregojnë se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, nuk po punon fare për shëndetësinë.

Zemaj: Faktet tregojnë se kjo qeveri nuk po punon fare në shëndetësi

“Kjo qeveri nëse shumë pak ka punuar në fusha të tjera, po e themi me bindje të plotë se në shëndetësi nuk po punon fare. Janë faktet që tregojnë se nuk kanë punuar fare, madje këto faktet tregojnë qartë paaftësinë e tyre qeverisëse. Për tri vite qeverisje janë ndërruar tre ministra, përfshirë edhe vet Kurtin si të vetë emëruar në komisionin e tij ekzekutiv dhe katër drejtor të SHSKUK-së. Po ashtu nuk ka asnjë strategji për shëndetësi, më shumë se 200 mjekë në vit po na ikin dhe për ikjen e tyre nuk ka asnjë reagim nga qeveria. Madje kryeministri bënte deklarata qesharake duke thënë se gjendje nuk është aq keq sa po raportohet me numra të fryrë. Nuk kemi asnjë investim kapital, kemi ankesa të njëjta nga të gjitha odat mjekësore. Ndërkaq që tri vite kemi lista të gjata të pritjes nga pacientët dhe injorim të kërkesave të specializantëve”, tha Zemaj.

Sipas tij, Projektligji për shëndetësi dhe ai për sigurime shëndetësore i paraparë të miratohet gjatë këtij viti është shtyrë për vitin e ardhshëm.

Zemaj: Ligji për shëndetësi është bartur për vitin e ardhshëm

“Fondin shëndetësor që e ka premtuar ministri Vitia se tri vite nuk e kemi asgjëkund, madje lajmin kryesor të ditës është se pikërisht ky ministër e ka larguar nga strategjia ligjin për shëndetësi dhe ligjin për sigurime shëndetësore. Kam informacione të sakta se ky ligj është bartur për vitin e ardhshëm ashtu siç është bartur për tri vite me radhë”, shtoi Zemaj.

Në anën tjetër, ai tha se dorëheqjet në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës tregojnë për ndërhyrjet politike të ministrit Vitia.

Zemaj: Këto dorëheqje po ndodhin si pasojë e ndërhyrjeve politike

“Krejt këto po ndodhin ashtu siç e kemi tërhequr vërejtjen si pasojë e ndërhyrjeve të Ministrisë së Shëndetësisë direkt në punën e stafit shëndetësor. Derisa po flasim në institucionin kryesor në vend, emergjencën e qendrës klinike mungojnë gjërat elementare si kadetra, shiringa dhe madje nuk ka furnizim të mirë as me infuzione. Edhe ato infuzione që i ofron Ministria e Shëndetësisë fatkeqësisht na kanë dal që janë nga Serbia”, përfundoi Zemaj.

I pyetur për çështjen e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Zemaj nuk pranoi të flas, teksa tha se LDK-ja do të del me qëndrim nesër pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat