Haxhimusa: Një sistem elektroenergjetik stabil për veri është i mundur nëse ka faturim të plotë të rrymës

Aktuale

Haxhimusa: Një sistem elektroenergjetik stabil për veri është i mundur nëse ka faturim të plotë të rrymës

Më: 12 dhjetor 2023 Në ora: 18:15
Ilustrim

Njohësi i fushës së energjisë, Adhurim Haxhimusa e vlerëson të domosdoshme një kampanjë informuese për qytetarët e katër komunave në veri, për t’u dhënë më shumë detaje pas nënshkrimit të marrëveshjes për shërbime energjetike mes KEDS-it dhe Elektroseverit.

Haxhimusa thotë se në këto komuna duhet të ketë një pasqyrë të qartë të gjendjes dhe një faturim i konsumit të energjisë elektrike, pasi “nuk dihet se sa % e popullësisë kanë një njehësor elektrik”.

Siç tha ai, një sistem elektroenergjetik stabil në këto komuna është i mundur vetëm nëse ka faturim të plotë të rrymës.

“Duhet të jemi realist që ajo pjesë e komunave është pak a shumë një zonë që institucionet e Kosovës kanë pasë shumë pak qasje dhe nuk e di sa kemi informata për gjendjen sociale të asaj pjese të popullsisë, dhe është shumë me rëndësi që të ketë kampanja informuese, se është e domosdoshme faturimi i energjisë elektrike, për shkak se për pesë apo dhjetë vitet e ardhshme mund të kemi probleme me furnizim me energji elektrike për shkak të gjendjes së dobët të rrjetit, prandaj është i domosdoshëm që një sistem elektroenergjetik stabil për këtë pjesë, për këto komuna, dhe është i mundur vetëm nëse kemi faturimin e plotë të konsumit të energjisë elektrike”, deklaroi ai.

Haxhimusa potencoi se për të pasur më pak rezistencë nga banorët e asaj pjese, është me rëndësi që t’u bëhet e ditur se nëse kanë problem t’i paguajnë faturat e rrymës dhe janë në gjendje sociale të rënduar, atëherë ekziston mundësia që t’i përdorin benefitet që i ofron sistemi social i Kosovës.

Kompania serbe për furnizim me energji (Elektrosever) ka nënshkruar marrëveshjen me Kompaninë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS), për furnizim me energji elektrike të katër komunave veriore të Kosovës, vendim ky që është mirëpritur edhe nga Bashkimi Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat