Ministrja malazeze: Mali i Zi do t’i ofrojë mbështetje Kosovës në rrugën drejt BE-së

Aktuale

Ministrja malazeze: Mali i Zi do t’i ofrojë mbështetje Kosovës në rrugën drejt BE-së

Më: 13 dhjetor 2023 Në ora: 08:29
Maida Gorçeviq

Ministrja e Çështjeve Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviq, ka thënë se Mali i Zi do të vazhdojë t’i ofrojë mbështetje politike Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për të intensifikuar proceset reformuese në rrugën drejt Bashkimit Evropian (BE) dhe zhvillimit të mëtejshëm ekonomik.

Gorçeviq ka theksuar se kultivimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore, të bazuara në besimin reciprok dhe mbyllja e çështjeve të hapura midis dy vendeve, së bashku me mbështetjen aktive në procesin e realizimit të së ardhmes evropiane të Ballkanit Perëndimor, paraqesin një prioritet të rëndësishëm të politikës së jashtme të Malit të Zi, raporton mediumi malazez Pobjeda.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – synojnë të anëtarësohen në BE dhe janë në faza të ndryshme të arritjes së këtij qëllimi, ndërsa plani i rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor përfshin investime prej 6 miliardë eurosh dhe akses në tregun e brendshëm evropian në fusha të caktuara.

Kosova ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Bosnje-Hercegovina ka marrë statusin e vendit kandidat në fund të vitit të kaluar. Maqedonia e Veriut ka ngecuar në zbatimin e reformave, kurse Shqipëria dhe Mali i Zi janë aktualisht lidere për sa i përket anëtarësimit në BE. E perspektiva e Serbisë është ende e paqartë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat