​Kurti i shqetësuar me rezultatet e PISA-s, Qeveria iu ndan shtesa fëmijëve dhe pensionistëve për fundvit

Aktuale

​Kurti i shqetësuar me rezultatet e PISA-s, Qeveria iu ndan shtesa fëmijëve dhe pensionistëve për fundvit

Më: 13 dhjetor 2023 Në ora: 08:47 Përditësuar në ora: 12:19 më 13.12.2023
Qeveria e Kosovës

Shtesat për pensionistët, Murati: Këto ditë njoftojmë se kur do të ekzekutohen, këtë javë e kemi të pamundur

Pensionistët do të marrin nga 100 euro shtesë këtë fundvit.

Këtë të premte ekzekutohen pensionet e rregullta për ta, por shtesat e ndara nga Qeveria do të mund t’i marrin pak më vonë, tha ministri i Financave, Hekuran Murati në mbledhjen e sotme të Qeverisë.

“Marrë parasysh që pensionet e rregullta ekzekutohet këtë të premte, ne do ta kemi të pamundur që t’i ekzekutojmë edhe shtesat këtë javë, mirëpo gjatë ditëve në vijim do t’i njoftojmë pensionmarrësit edhe kur procedohet ekzekutimi i kësaj shtese”, tha ai.

Kurti tha paraprakisht, se shtesat për pensionmarrësit u vendos që të ndahen “me qëllim të lehtësimit të kostos së jetesës për këtë kategori të cenueshme”.

Qeveria i druhet migrimit, themelon një mekanizëm për t’i monitoruar lëvizjet pas liberalizimit të vizave

Qeveria e ka miruatuar një vendim për themelimin e Mekanizmit e Parlajmërimit të Hershëm për Monitorimin e Trendeve të Migrimit.

Kryeministri Albin Kurti tha se ky mekanizëm do t’i monitorojë lëvizjet e migrimit pas liberalizimit të vizave për kosovarët.

“Ky mekanizëm ndërinstitucional ka për qëllim të monitorojë trendet e lëvizjeve të migrimit pas liberalizimit të vizave nga Bashkimi Europian, të mbledh dhe të analizojë të dhëna lidhur me lëvizjet e shtetasve të Republikës së Kosovës në shtetet e zonës Schengen, si dhe të rekomandojë ndërmarrjen e masave për institucionet relevante me qëllim të menaxhimit të suksesshëm të procesit”, tha Kurti.

]

Zëvendësministri i Minsitrisë së Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra tha se “ky mekanizëm themelohet me një përbërje ndërinstitucionale”.

Qeveria ndan 4 milionë euro për bujqit dhe bizneset që u dëmtuan nga vërshimet

Katër milionë euro ka ndarë Qeveria e Kosovës për ofrimin e ndihmës për rimëkëmbje ekonomike shkaku i vërshimeve në shtator të vitit të kaluar dhe janar të këtij viti.

Sipas ministrit të Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati, shuma që mund të përfitojnë bizneset dhe bujqit është 20 mijë euro.

“Me këtë vendim, mbështetja do të bëhet vetëm për bizneset dhe bujqit. Pra në mbledhjen e kaluar kishim për ekonomitë familjare.

Ndërsa tani për bujqit apo fermerët dhe për bizneset dhe gjithashtu do të mbajë përqindjen e mbështetjes deri në 90 për qind të dëmeve të vlerësuara dhe do të ketë edhe një tavan, pra deri në 20 mijë euro”.

Qeveria me Projektligj për kontrollin e kufirit shtetëror, Sveçla jep detaje

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, në rend dite ka qenë shqyrtimi i Projektligjit për kontrollin e kufirit shtetëror. Më shumë detaje për këtë Projektligj ka dhënë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai tha se kjo nismë legjislative ka për qëllim që të forcojë kontrollin e kufirit shtetëror dhe të përcaktojë kompetencat e Policisë lidhur me kontrollin kufitar.

“Përmes këtij Projektligji i ofrojmë organeve tona të kontrollit kufitar kuadrin ligjor, mjetet dhe burimet e nevojshme që të adresojnë në mënyrë efektive sfidat për menaxhimin e kufirit dhe për ta ruajtur sigurinë dhe sigurinë e kufirit”.

“Projektligji parasheh qasje gjithëpërfshirëse ndaj kontrollit kufitar, që është hartuar për të ngritur bashkëpunimin mes organeve të përfshira në menaxhimin e kufirit. Ai vendos rregulla të qarta për koordinimin ndërmjet agjencive të zbatimit të ligjit dhe autoriteteve të kontrollit kufitar. Kjo përpjekje bashkëpunuese është thelbësor për të siguruar një kontroll dhe menaxhim efikas të kufirit”, tha Sveçla.

Qeveria ndan 40 milionë euro shtesë për FSK-në, Kurti: Po plotësojmë kriteret për anëtarësim në NATO

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka bërë të ditur se kanë marrë vendim për ndarje të buxhetit shtesë për FSK-në.

Kurti tha se bëhet fjalë për 40 milionë euro.

Ai shtoi se me këtë ndarje, shuma e përgjithshme buxhetit të alokuar sivjet për mbrojtje, tejkalon nivelin prej 200 milionë euro.

“Sot po marrim vendim për ndarjen e buxhetit shtesë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, në vlerë prej 40 milionë euro dhe me këtë ndarje shuma e përgjithshme e buxhetit të alokuar sivjet për mbrojtje, tejkalon nivelin prej 200 milionë euro, apo mbi 2 për qind të bruto produktit vendor, kriter ky për shtetet anëtare të NATO-s", tha ai.

Qeveria iu ndan shtesa fëmijëve dhe pensionistëve për fundvit

Fëmijët dhe pensionistët do të marrin nga 100 euro shtesë në këtë fundvit, tha kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Qeveria pritet ta miratojë sot këtë vendim.

“Besoj ju kujtohet premtimi që çdo vit secili fëmijë do të përfitojë 50, 100 apo 150 euro varësisht nga të ardhurat e prindërve. Sivjet kemi vendosur që të gjtihë fëmijët pa dallim të përfitojnë nga skema dhe shuma e përfitimit të jetë 100 euro”, tha Kurti.

Ai tha se po planifikojnë “që kjo skemë të kjo skemë të sofistikohet edhe më tutje, duke filluar zbatuimin edhe të deklarimit të të ardhurave vjetore nga të gjithë prindërit përfitues”. Kjo, sipas Kurtit, “që të ketë dallim në mbështetje” dhe që “ata që kamë më pak të ardhura, të përfitojnë më shumë”.

“Për të gjithë pensionmarrësit këtë fundvit, me qëllim të lehtësimit të kostos së jetesës për këtë kategori të cenueshme, do të miratojmë shtesën e njëhershme prej 100 eurove, përveç pensionit të rregullt mujor që marrin”, tha Kurti.

Për detaje rreth ekzekutimit të shtesave nga 100 euro do të njoftojë së shpejti Ministria e Financave.

​Kurti i shqetësuar me rezultatet e PISA-s: Treguan defektet strukturore të sistemit arsimor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur shqetësimin për rezultatet e testit PISA në Kosovë. Kurti tha se rezultatet e dobëta tregojnë për defekte strukturore dhe kronike në sistemin arsimor, të cilat sipas tij shtrihen në të kaluarën dhe që nuk mund të rregullohen menjëherë dhe as shpejtë.

Kurti, në mbledhjen e qeverisë të mërkurën tha se janë të angazhuar për kushte të mira të punës për mësimdhënies dhe mësim nxënies, ndërkaq mësimdhënësit duhet të kujdesen që të motivojnë, inspirojnë dhe të garantojnë se nxënësit po mësojnë dhe po dinë.

Kurti: Jemi të shqetësuar me rezultatet e testit PISA në vendin tonë

“Jemi të shqetësuar me rezultatet e testit PISA në vendin tonë, të cilat treguan për defekte strukturore dhe kronike të sistemit arsimor që shtrihen gjatë në të kaluarën e shoqërisë sonë, të cilat nuk mund të rregullohen as për njëherë dhe as shpejt. Testi PISA po tregon se në fëmijërinë relativisht të hershme diçka nuk po shkon mirë. Qeveria angazhohet për kushte të mira të punës të mësimdhënies dhe mësimnxënies. Ndërkaq mësimdhënësit duhet të kujdesen që të motivojnë, inspirojnë dhe të garantojnë se nxënësit po mësojnë dhe po dinë”, tha Kurti.

Kurti nënvizoi përkushtimin për rini, derisa tha se Kosova është bërë anëtare e organizatës evropiane rinore EYCA, e cila sipas tij do t’iu krijojë të rinjve zbritje në transport, akomodim dhe arsim kudo në BE.

Kurti mbledh ministrat, ky është rendi i ditës

Qeveria e Kosovës do të mbaj sot mbledhjen e radhës.

Në njoftimin për media nga zyra e kryeministrit bëhet e ditur se mbledhja nis nga ora 11:00.

Në rend dite është shqyrtimi i Propozim-vendimit për aprovimin në parim të certifikatave pjesëmarrëse të Republikës së Kosovës në Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës dhe pagesën c kapitalit (MEFFT), shqyrtimi i Propozim-vendimit për ndarjen e mjeteve buxhetore për zbatimin e masës 1.3 – Mbështetja e Punësimit të Grave dhe Masës 5 – Investimi në Infrastrukturë dhe Ambient të Pakos së Ringjalljes Ekonomike (MEFPT) , shqyrtimii Propozim-vendimit për rialokimin e mjeteve në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në 29 (njëzet e nëntë) projekte kapitale në përputhje me memorandumet e mirëkuptimit për projekte kapitale të nënshkruara nga Ministri i MMPHIsë dhe Kryetarët e Komunave (MMPHI), shqyrtimi i Propozim-vendimit Përfundimtar për shpronësim për interes publik i pronave të paluajtshme të cilat janë të nevojshme për realizimin e “Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik”, në Komunën e Leposaviqit dhe Komunën e Zubin Potokut (MMPI II).

Po ashtu në rend dite është edhe shqyrtimi i Propozim-vendimit për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpalljen e zonës se mbrojtur ujore për qëllime strategjike me interes publik të ndërtimit të digës sipas projektit “Hidrosistemi Iber-Lepenc Faza 1”, për nevoja të Ministrisë së Mjedisit Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës, brenda zonës me koordinata prej 1 deri në 35, Komuna Shtërpcës (MMPHI)y shqyrtimi i Propozim-vendimit për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidatët për pozitat e 2 (dy) anëtarëve të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës (ZKM), shqyrtimi i Draftit të Koncept-dokumentit për Kodin e Procedurës Civile (MD) dhe shqyrtimi i Draftit të Koncept-dokumentit për Gjykatën Administrative dhe të Punës (MD).

Do të bëhet shqyrtimi i Draftit të Koncept-dokumenitit për Rregullimin e Fushës së Punësimit (MFPT).

Qeveria do të shqyrtojë edhe Propozim-vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 28) 99 të datës 30 shtator 2022 (ZKM), shyrtimin e Projektligjit për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për importin e Përkohshëm (MITI) dhe informimi i Kabinetit Qeveritar mbi zbatimin e Programit Kombëtar për Integrim Evropian për periudhën janar qershor 2023 (ZKM).

Mbrëmë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka publikuar një fotografi në Twitter ku në sfond ndodhet flamuri grek.

Shefi i qeverisë shkroi aty për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.

”Duke qëndruar këtu 2 dekada pas Samitit të Selanikut, më kujtohet udhëtimi që Kosova ka bërë drejt BE-së, një dëshmi e përkushtimit tonë të palëkundur për paqen dhe demokracinë”, shkroi Kurti.

“Në Evropën që po përjeton përsëri luftën, më kujtohet gjithashtu se Bashkimi Evropian dhe përfshirja janë e vetmja rrugë përpara”, tha Kurti, i cili ka qenë për dy ditë në Athinë, pas ftesës së kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis.

Kurti ishte në mesin e disa liderëve nga Ballkani Perëndimor, të Bashkimit Evropian, Ukrainës dhe Moldavisë që morën pjesë në një darkë joformale më 21 gusht në Athinë me rastin e 20-vjetorit të samitit BE-Ballkani Perëndimor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat