Llogaritet koha e paraburgimit, deri në këtë vit Salih Mustafa do të qëndrojë në vuajtje të dënimit

Aktuale

Llogaritet koha e paraburgimit, deri në këtë vit Salih Mustafa do të qëndrojë në vuajtje të dënimit

Më: 14 dhjetor 2023 Në ora: 12:20
Salih Mustafa

Salih Mustafa do të qëndrojë në burg edhe 19 vite, pas dënimit të plotfuqishëm me 22 vjet burgim nga Gjykata e Apelit të Dhomave të Specializuara.

Në aktgjykimin e shpallur të enjten, Apeli i Speciales i shqiptoi ish-komandantit të UÇK-së dënim unik prej 22 vjet burgim për krime lufte.

Kryetarja e trupit gjykues të Panelit të Apelit tha se Mustafës do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Mustafa ishte akuzuar nga Prokuroria e Specializuar në qershor të vitit 2020 dhe ishte dërguar në paraburgim nga 24 shtatori i po atij viti.

Ai ndodhet në paraburgim, me vendim të Gjykatës Speciale, që nga 24 shtatori i vitit 2020 – pra, qe tri vjet e tre muaj.

Duke llogaritur periudhën e kaluar në paraburgim dhe dënimin unik, të plotfuqishëm, me 22 vite burgim, atëherë Mustafa i bie të përfundojë vuajtjen e dënimit pas 19 vitesh, në vitin 2042.

Mustafa, në dhjetor të vitit të kaluar u dënua nga shkalla e parë me 26 vjet burgim për akuzën e mbajtjes dhe maltretimin e disa civilëve shqiptarë, një prej tyre i vrarë, në kompleksin e ndërtesave të Zllashit.

Ky vendim njëherit shënon edhe vendimin e parë për krime lufte të shqiptuar nga Gjykata Speciale, e cila ka selinë në Hagë të Holandës.

Ish-komandant “Cali” akuzohet për ndalim arbitrar, torturë, trajtim çnjerëzor dhe vrasje të paligjshme.

Ai ishte arrestuar në shtator të vitit 2020, duke qenë i pari i ftuar nga Gjykata Speciale.

Salih Mustafa ka qenë komandant i Njësisë BIA të UÇK-së, që operonte brenda Zonës Operative të Llapit.

Aktakuza e ngarkon atë me përgjegjësi penale për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së në kompleksin e ndalimit në Zllash, në regjionin e Gollakut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat