Avokati i akredituar i Speciales: Dënimi maksimal për krime lufte është 15 vjet

Aktuale

Avokati i akredituar i Speciales: Dënimi maksimal për krime lufte është 15 vjet

Më: 14 dhjetor 2023 Në ora: 16:49
Sali Mustafa

Gjykata e Apelit të Speciales ka shpallur aktvendim ndaj Salih Mustafës, me të cilin e dënoi me dënim unik prej 22 vjet burgim për krime lufte.

Mustafës i është zbutur dënimi për 4 vjet, pra nga 26 në 22.

Aktgjykimi u shpall të enjten në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, nga kryetarja e trupit gjykues Michele Picard.

Lidhur me këtë vendim ka folur avokati i akredituar i Speciales, Artan Qerkini.

Ai thotë se në vendimin që është marrë nga Gjykata e Apelit ekzistojnë tri çështje e që për të janë problematike.

Ndërsa, përmend dënimin maksimal të Gjykatës Supreme për krime të luftës, duke shtuar se i njëjti është vetëm 15 vjet burgim.

Dhe, se këtë duhej ta merrte për baza edhe Gjykata e Apelit në rastin e Sali Mustafës.

“Gjykata e Apelit është dashur ta pranojë qëndrimin e Gjykatës Supreme të Kosovës se dënimi maksimal i cili mund të shqiptohet për rastet e krimeve të luftës është 15 vite burgim, për shkak se bazuar në rregulloret e UNMIK-ut të cilat kanë zëvendësuar dënimin me vdekje të paraparë me Ligjin Penal të ish RSFJ-së, dënimi maksimal i cili mund të shqiptohej ishte 15 vite burgim”, është shprehur Qerkini.

Qerkini ka përmendur edhe një vrasje në fshatin Zllashë, e për të cilën thotë se nuk është vërtetuar asnjë provë ndërsa, është përmendur në rastin e Mustafës.

“Dënimi i Sali Mustafës për vrasjen e një personi bie ndesh me parimin ‘in dubio pro reo’, -çdo dyshim duhet të shkojë në favor të pandehurit, sepse nuk është vërtetuar asnjë provë se ai person të ishte vrarë nga njësiti i UÇK-së, që veproi në fshatin Zllashë”, ka shtuar ndër të tjera ai.

Avokati Qerkini flet edhe për disa pretendime ankimore që nuk u trajtuan fare, duke thënë se vet Apeli është dashur t’i adresojë.

“Disa pretendime ankimore nuk u trajtuan fare sepse sipas Gjykatës së Apelit mbrojtja nuk i ka ngritur ato në gjykimin e zhvilluar në shkallën e parë. Konsideroj se për shkak të rëndësisë së procesit , peshës së dënimit dhe veprave të pretenduara , Gjykata e Apelit është dashur t’i adresojë këto pretendime edhe pse mbrojtja e Sali Mustafës nuk i ka ngritë të njëjtat në gjykimin paraprak”, ka deklaruar Qerkini.

Salih Mustafa kishte paraqitur në Panelin e Gjykatës së Apelit 51 pika kundër vendimit dënues me 26 vite burg të shqiptuar ndaj tij nga Gjykata Speciale më 16 dhjetor 2022.

Në seancën e mbajtur 26 tetor, mbrojtja e Salih Mustafës përmes avokatit Julius Von Bone ka thënë se gjatë shqiptimit të dënimit, trupi gjykues ishte selektiv dhe mori parasysh vetëm dëshmitarët që dëshmuan kundër Mustafës.

Po ashtu, mbrojtja pretendoi se trupi gjykues ka bërë shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në rastin e shqiptimit të dënimit. Me këtë rast, avokati Von Bone ka kërkuar nga Apeli interpretim të Kushtetutës.

Ekipi i Sali Mustafës gjatë seancës së Apelit patën kërkuar që Sali Mustafa të shpallet i pafajshëm, por nëse jo, të ulet dënimi i tij.

Ndërsa, Zyra e Prokurorit të Specializuar në parashtrimet e veta kërkoi nga Apeli që të mbetet në fuqi aktgjykimi dënues ndaj Salih Mustafës.

Sipas prokurorit Cezary Mihailzcuk, aktgjykimi është mbështetur në prova të besueshme.

Kurse, mbrojta e viktimave përmes avokates Anni Pues ishin shprehur se viktimat që marrin pjesë në këtë çështje gjyqësore shpresojnë që ky është hapi i parafundit për t’i dhënë fund dhimbjes së tyre

Ndryshe, aktgjykimi ndaj Mustafës ishte shpallur më 16 dhjetor 2022, me të cilin Mustafa është dënuar me 26 vite burgim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat