5 vjet prej kur FSK u bë ushtri – Çka u arrit në tranzicion e çka mbeti?

Aktuale

5 vjet prej kur FSK u bë ushtri – Çka u arrit në tranzicion e çka mbeti?

Më: 14 dhjetor 2023 Në ora: 22:58
FSK

Prej kur u shndërrua në ushtri janë bërë fiks 5 vjet, ani pse emërtimin vazhdon ta ketë Forcë e Sigurisë së Kosovës.

Kështu 2023-shi shënon përmbylljen e gjysmës së periudhës prej 10 vitesh, aq sa FSK-ja ka në dispozicion për tranzicion.

Për kaq kohë e gjithë struktura e FSK-së ka bërë gjithçka siç duhet për ish-ushtarakun Hysen Gecaj, veçse për qëllimin final që është anëtarësimi në NATO, ai vlerëson se barra bie diku tjetër.

“FSK-ja ka pas një rrugëtim jashtëzakonisht të mirë deri më tani. Pavarësisht që ka pas ndryshime në buxhet dhe është parapa rritje të buxhetit kjo nuk është garantues për anëtarësim në Nato, sepse I përmenda problemet politike që janë ato kryesore që determinojnë zgjidhjen e këtij problemi”, ka deklaruar Gecaj.

Përderisa e vlerëson transformimin pozitiv ndër vite, ish-kryeministri Ramush Haradinaj thekson nevojën për një kujdes të shtuar të ekzekutivit për këtë institucion të sigurisë.

“5 vite rrugëtim i ushtrisë tonë mund të themi se janë vite të lavdishme, ajo që mungon është kujdesi institucional, e shihni se nuk janë rritë pagat për kohë të gjatë, kanë problem logjistike, me transport kanë vështirësi, me uniforma, me pajisje e ajo më e keqja u kanë tepru paratë në buxhet, një sasi parash që ka qenë e dedikume për pajisje ushtarake është bart për vitin tjetër”, ka deklaruar Haradinaj.

Mirëpo, i pakënaqur me trajtimin e ushtarakëve shprehet dikur vetë ushtaraku tash deputet, Hisen Berisha.

“Ushtari i Kosovës sot e ka pagën përgjysmë sa e ka një kamarier i një restaurant në Kosovë, prandaj kushtet e shërbimit e kanë edhe karakterin motivues, por edhe të krijimit të hapësirave për me pas mundësi me punu. Pajtohem se duhet të investohet sa më shumë në blerjen e pajisjeve të teknologjisë etj, por mos harroni se mosmotivimi për të shërbyer në forcë, I kuadrove i të rinjve të Kosovës është dështim, sepse njeriu është elementi kyq I ushtrisë pastaj vjen teknologjia”, ka thënë ai.

E ca fjalë në këtë përvjetor i ka shkruar edhe ai që shumicën e vitit e ka kaluar në uniformë, kurse muajt e fundit ka marrë në udhëheqje dikasterin që ka nën mandat ushtrinë.

“Do të vazhdojmë tranzicionin e FSK-së në ushtri me kapacitete të plota, e gatshme për të përmbushur misionin e saj vital të garantimit të sigurisë për gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe mbrojtjen e integritetit të territorit të saj, me synim ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe ofrimin e kontributit përtej kufirit gjeografik të shtetit tonë, integrimin në strukturat euro-atlantike si aleat me peshë i partnerëve tanë duke kaluar nga konsumues të sigurisë në ofrues të saj”, ka deklaruar Ejup Maqedonci, ministër i Mbrojtjes.

Vendimin për transformimin e FSK-së në Ushtri e morën deputetët e Kuvendit të Kosovës më 2018, duke miratuar tri ligje që ia dhanë mandatin ushtarak Forcës së Sigurisë së Kosovës, por pa iu ndryshuar emri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat