Osmani paralajmëron këtë veprim për Asociacionin, flet për sulmin në Banjskë dhe jep mesazhin e “prerë” pas vrasjes së Liridonës

Aktuale

Osmani paralajmëron këtë veprim për Asociacionin, flet për sulmin në Banjskë dhe jep mesazhin e “prerë” pas vrasjes së Liridonës

Më: 15 dhjetor 2023 Në ora: 08:06 Përditësuar në ora: 12:26 më 15.12.2023
Vjosa Osmani në Kuvendin e Kosovës

Fjalimi vjetor i Osmanit duartrokitet nga VV-ja e LDK-ja, PDK-ja e AAK-ja bojkotuan seancën

Presidentja Vjosa Osmani ka përfunduar fjalimin e saj vjetor para deputetëve të Kosovës, të cilin e nisi me sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Bansjkë të Zveçanit.

Fjalimi i Osmanit është duartrokitur nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ndërkohë, deputetët e PDK’së dhe AAK’së kanë bojkotuar adresimin e Presidentes.

Osmani paralajmëron dërgimin e draft-statutit në Kushtetuese: E kam ftuar në takim opozitën për të ndërtuar një qëndrim të unifikuar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në adresimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës, në mes të tjerash ka theksuar se procesi i dialogut me Serbinë sa vjen e po bëhet më i vështirë, siç u shpreh ajo, kjo nga jokonstruktiviteti, obstruksionet dhe përpjekjet e Serbisë që të shkaktojë destabilitet jo vetëm në Kosovë, por edhe rajon.

Ajo ka bërë të ditur se tashmë Kosovës i është dorëzuar një propozim–draft statut për një Asociacion të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga partnerët.

“Përderisa vlerësimi i hartuesve është se një draft i tillë është në harmoni me kushtetutën, dua ta ritheksoj se institucioni që duhet ta bëjë këtë vlerësim, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë e profesionalizmit, është Gjykata Kushtetuese”.

“Është me rëndësi që të gjithë ne, pa dallim partiak, të ulemi e bashkërisht t`i përgatisim komentet tona bazuar në shqetësimet që mund t’i kemi dhe t’i dërgojmë ato në Gjykatën Kushtetuese, kurdo që ky draft të dorëzohet në këtë institucion”, ka theksuar Osmani.

Osmani tha se qëllimi i përbashkët duhet të jetë të sigurohet  përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe të mos lejohet një pushtet të ndërmjetëm të qeverisjes apo anomali të tjera, të cilat rrezikojnë funksionimin e brendshëm të shtetit tonë.

Presidentja u shpreh se ka ftuar edhe liderët e partive opozitare, me qëllim që siç u shpreh ajo, të ndërtojmë qëndrim të unifikuar e në mbrojtje të funksionimit të republikës.

“Prandaj, në mënyrë që qëllimet tona të përbashkëta të përkthehen edhe në veprime të përbashkëta, përveç konsultimeve të vazhdueshme me kryeministrin dhe kryetarin e kuvendit, kam ftuar në takim edhe liderët e partive opozitare, me qëllim që për këtë temë sfiduese, të ndërtojmë qëndrim të unifikuar e në mbrojtje të funksionimit të republikës sonë”, u shpreh tutje Osmani.

Osmani: Dhuna me bazë gjinore e papranueshme, Kosova nuk ka vajza e gra për të humbur

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në adresimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës, ka theksuar se Kosova po e përbyllë një vit në të cilin padrejtësisht e në mënyrë të dhunshme u humbën shumë jetë grashë.

“Liridona Ademaj është emri që kumbon fort, si përkujtim i çdoditshëm i dhimbjes përvëluese që ngelet pas, kur padrejtësia zë vend fuqishëm.  Kjo tashmë është plagë e rëndë e shoqërive anë e mbanë botës. Nëse deri tani i referoheshim si pandemi, e vërteta është që kjo tashmë është shndërruar në tragjedinë e ditëve tona”.

“Ta kemi të qartë njëherë e përgjithmonë, dhuna me bazë gjinore nuk është thjesht një “çështje e grave”, është test për njerëzimin e një krizë shoqërore që kërkon angazhimin tonë të palëkundur për ndryshim”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Sipas saj, dhuna me bazë gjinore është një njollë e patolerueshme në ndërgjegjen e shoqërisë sonë.

“Duhet të fuqizohet çdo hallkë në institucionet e sigurisë e ato të drejtësisë në përballje me këtë fenomen. Në thelb, një sistem i fortë drejtësie nuk është thjesht një imperativ ligjor; është një gur themeli në përpjekjet tona më të gjera shoqërore për të çmontuar rrënjët e dhunës me bazë gjinore”.

“Duke i mbajtur autorët përgjegjës dhe duke siguruar drejtësi për të mbijetuarit, ne hedhim themelet për një të ardhme më të sigurt dhe më të barabartë për të gjithë”, ka theksuar Presidentja Osmani. Sipas saj, seksizmi është prezent pothuajse çdokund. E kam thënë, rithënë, e do e them sërish, Kosova nuk ka vajza e gra për të humbur”, ka theksuar Osmani.

Osmani: Duhet të lehtësohen procedurat e marrjes së nënshtetësisë për bashkëkombasit nga Lugina

Presidentja Vjosa Osmani e ka përmendur në adresimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës, edhe çështjen e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, të cilët po përballen me diskriminimin mbi baza etnike.

Më tej, ajo ka thënë se është angazhuar për lehtësimin e procedurave për marrjen e shtetësisë së Kosovës për banorët nga Presheva, Medvegja e Bujanoci.

“Kam kërkuar reagimin e bashkësisë ndërkombëtare kundrejt spastrimit etnik të kësaj pjese me shlyerjen e adresave të tyre me qëllim ndryshimin e demografisë. Shumë nga shqiptarët e këtyre komunave tani janë pa shtetësi e pa mundësi për të realizuar të drejtat e tyre themelore”.

“E kur jemi te shtetësia, ka qenë e pafalshme që për vite të tëra, procedurat për marrje të shtetësisë së Kosovës për shqiptarët nga Presheva, Medvegja e Bujanoci kanë qenë të njëjta me ato që vlejnë për qytetarë që vijnë nga kontinente të largëta. Prandaj, kam propozuar që në ligjin e ri për shtetësi, i cili është duke u përgatitur, të parashihen lehtësira në procedurat e marrjes së nënshtetësisë për bashkëkombasit tanë nga Lugina dhe shpresoj që ky propozim do të përkrahet nga ju sapo të vijë në Kuvend”.

Osmani: Anëtarësimi në NATO prioritet, përkushtimi ndaj integrimit evropian i palëkundur

Presidentja Vjosa Osmani në adresimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës, ka theksuar se përgjatë këtij viti ka realizuar afër 200 takime e bashkëbisedime me krerë shtetesh e krerë qeverish, si dhe takime shtesë me udhëheqës të tjerë institucionalë e udhëheqës të organizatave më të fuqishme ndërkombëtare.

“Jam krenare për punën që kemi bërë së bashku me ekipin tim në riparimin e shumë dëmeve që janë bërë nga kundërshtarët e Kosovës dhe parandalimin e shumë të tjerave, e mbi të gjitha për punën e bërë në përmirësimin e imazhit dhe pozitës së Kosovës ndërkombëtarisht, përderisa jam e vetëdijshme se rrugë jo e lehtë na pret përpara në avancimin ndërkombëtar të vendit tonë”, ka theksuar presidentja Osmani.

Sipas Presidentes Osmani, aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës është një dëshmi e përkushtimit ndaj vlerave demokratike, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës.

“Njëkohësisht, dorëzimi i kërkesës se Kosovës për statusin e kandidatit në BE, vë në pah përkushtimin tonë të palëkundur ndaj integrimit dhe të ardhmes sonë evropiane”, theksoi Osmani.

Presidentja Osmani tha se pavarësisht se sa komplekse është rruga, Kosova nuk do të heq dorë nga anëtarësimi në BE, përkundër vonesave të padrejta që bëhen përgjatë kësaj rruge.

“Duke pasur parasysh sfidat e sigurisë me të cilat ballafaqohet Kosova dhe i gjithë rajoni ynë, jam më e bindur se kurrë, se anëtarësimi ynë në NATO duhet të jetë prioriteti ynë numër një. Aspiratat tona për anëtarësim në aleancën më të fuqishme ushtarake janë të vendosura, të bazuara në përkushtimin tonë për sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, tha ndër të tjera Presidentja Osmani në adresimin e saj vjetor.

Presidentja: Kosova u përballë me situatën më të rrezikshme që nga pavarësia

Presidentja Vjosa Osmani e ka nisur fjalimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës me sulmin terrorist që ndodhi në Banjskë, ku u vra heroi Afrim Bunjaku.

Osmani ka thënë se atë ditë, Kosova u përballë me situatën më të rrezikshme nga pavarësia e saj.

“Një vit i ballafaqimit me vështirësi në vecanti në fushën e sigurisë, meqë më 24 shtator Kosova u përballë me situatën më të rrezikshme që nga pavarësia e saj. Një grup terrorist paralamilitar i financuar, trajnuar dhe mbështetur nga Serbia, e mbi të gjitha I udhëruar nga lidershipi i këtij shteti kreu akt agresioni me planin e qartë që të aneksohet veriu i Kosovës dhe tyë shkaktohet destablizim jo vetëm i vendit tonë, por i të gjithë rajonit. Në këtë ditë Kosova u përballë me një agresor tinëzar në veprim, por të dukshëm në ambicie, me synimin e qartë të cënimit të themelit të shtetit tonë, Republikës, për  të cilën ranë shumë dëshmorë ndër breza”, ka deklaruar Osmani.

Tutje, Osmani ka thënë se Kosova do t`i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht.

“Ky sulm, i cili është në vazhdën e ideve e planeve shoviniste e hegjemoniste të Serbisë, ekspozoi sërish fytyrën e vërtetë të fqinjit tonë verior, ëndërr e përhershme e të cilit mbetet realizimi i konceptit fashist të “Botës serbe”. Në këtë kohë kur është sfiduar drastikisht siguria në gjithë kontinentin tonë, plani famëkeq për destabilizim të Kosovës dhe rajonit mori përgjigjen e merituar”.

“Ata vranë një, por mobilizuan shumë djem e vajza nga radhët e Policisë, të cilët po atë ditë dhanë mesazh të qartë: Kosova nuk zmbrapset, Kosova nuk thyhet dhe Kosova do t`i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht”, ka thënë në ekspozenë e saj Presidentja Osmani.

Osmani: Kosova s’zmbrapset, nuk thyhet dhe do t’i mbrojë kufijtë e saj me çdo kusht

Presidentja Vjosa Osmani në adresimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës ka folur për sulmin terrorist dhe agresionin e 24 shtatorit në Banjskë, duke e cilësuar një agresor, tinëzar në veprim, por të dukshëm në ambicie, me synimin e qartë të cenimit të themelit të shtetit tonë.

“Ky sulm, i cili është në vazhdën e ideve e planeve shoviniste e hegjemoniste të Serbisë, ekspozoi sërish fytyrën e vërtetë të fqinjit tonë verior, ëndërr e përhershme e të cilit mbetet realizimi i konceptit fashist të ‘Botës serbe’. Në këtë kohë kur është sfiduar drastikisht siguria në gjithë kontinentin tonë, plani famëkeq për destabilizim të Kosovës dhe rajonit mori përgjigjen e merituar”, ka theksuar Persidentja Osmani.

Sipas saj, në këtë ballafaqim, terroristët vranë policin Afrim Bunjakun, ndaj ai u bë dëshmori dhe heroi më i ri në historinë e Kosovë dhe njëri nga të shumtët që ra fli në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit të Republikës sonë.

“Ata vranë një, por mobilizuan shumë djem e vajza nga radhët e Policisë, të cilët po atë ditë dhanë mesazh të qartë: Kosova nuk zmbrapset, Kosova nuk thyhet dhe Kosova do t`i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht”, ka thënë në ekspozenë e saj presidentja Osmani.

Presidentja Osmani në adresimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës, ka theksuar se në raport me agresionin e Serbisë ndaj Kosovës më 24 shtator, populli i Kosovës dhe përfaqësuesit e saj kanë ditur të bashkohen rreth kauzës së mbrojtjes së shtetit tonë të ndërtuar me aq shumë sakrifica.

“Në situata të tilla nuk duhet të ketë ndarje partiake e ideologjike, por duhet të ketë unitet, pa dallim. Rreshtimi i vetëm që na duhet është rreshtimi në anën e shtetit tonë të pavarur e sovran”, ka potencuar Osmani.

Ajo ka falënderuar përfaqësuesit e opozitës që në këtë çështje treguan përkrahjen për institucionet e Kosovës e në veçanti për institucionet e sigurisë, të cilat vazhdojnë të jenë mbrojtësit e Republikës..

“Ne jemi pak për të qenë të ndarë dhe me qëndrime të dallueshme për situata si kjo, kur vetëm uniteti është përgjigja e duhur për ta mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e Kosovës. Këtë rrezik nuk e kemi kaluar, ndaj nuk duhet t`i nënshtrohemi ndarjes e dallimeve, por të jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë në përballje me Serbinë e të qëndrojmë këmbëngulës dhe të palëkundur kundrejt sfidave të sigurisë”, është shprehur Osmani.

Osmani u drejtohet deputetëve – bojkotohet nga PDK-ja e AAK-ja

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani të premten i është adresuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës në fjalimin e saj vjetor.

Njëjtë sikur se edhe vitin e kaluar deputetët opozitar ata të PDK-së dhe AAK-së e kanë bojkotuar këtë seancë, ndërsa deputetet e LDK-së janë të pranishëm.

Adresimi i Osmanit, flet edhe Musliu-Shoshi

Partia Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ku presidentja Vjosa Osmani do t’u adresohet deputetëve me fjalimin e saj vjetor.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi ka njoftuar se deputetët e kësaj partie nuk do të marrin pjesë në seancë.

“Deputetët e PDK-së nuk do të marrin pjesë në këtë seancë.” – deklaroi ajo.

Ndryshe, edhe AAK-ja do ta bojkotojë fjalmin e presidentes.

AAK-ja bojkoton fjalimin e presidentes Vjosa Osmani në Kuvend

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani sot me fillim në ora 11:00 do t’u adresohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës në fjalimin e saj vjetor.

Por, jo të gjithë deputetët do të jenë prezentë.

Njëjtë sikurse edhe vitin e kaluar një parti do ta bojkotojë fjalimin e saj.

Bëhet fjalë për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar deputeti i kësaj partie Pal Lekaj.

“AAK nuk do të merr pjesë në seancë gjatë adresimit të Presidentes”, ka thënë Lekaj.

Vitin e kaluar edhe Partia Demokratike e Kosovës kishte bojkotuar fjalimin e presidentes Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat