Avokati Berisha: Kur policia shkoi për ta arrestuar, Naim Murseli tentoi ta vrasë veten

Aktuale

Avokati Berisha: Kur policia shkoi për ta arrestuar, Naim Murseli tentoi ta vrasë veten

Më: 15 dhjetor 2023 Në ora: 18:04
Avokati Besnik Berisha

Avokati Besnik Berisha ka thënë se vrasja e Liridona Ademajt është një nga krimet e përgatitura me gjakftohtësinë më të madhe në historinë e drejtësisë kosovare.

Në lidhje me këtë vrasje, avokati Berisha ka treguar se në ditën kur policia ka shkuar për ta arrestuar të dyshuarin, bashkëshortin e Liridonës, Naim Murselin, i njëjti ka tentuar ta vrasë veten.

“Në ditën kur policia ka shkuar për ta arrestuar, Naimi rezulton që ka tentuar të marrë armën e Kushtrim Kokallës që ta ekzekutojë veten. Nëse kjo që po parashtroj unë është e vërtetë, Naimi e ka problem të përballet me krimin, ka ndryshuar teoritë e tij. I kemi parë deklaratat e tij që ka thënë se ka qenë i rrezikuar edhe vetë ai. Vetëvrasjet kanë ndodhë edhe në gjykatat ndërkombëtare, është e pamundur ta ruash dikë 24/7. Uroj që të gjithë të gëzojnë shëndetin e të përgjigjen për atë që kanë bërë”, ka thënë Berisha.

Ai ka thënë se veprimet hetimore për të ndjerën Liridonën, janë duke vazhduar ende.

“Policia ka qenë efikase, është shoqëruar me një varg veprimesh tjera. Nuk ishte bindëse alibia e grabitjes. Është një grup elitar i policëve, njësiti i grabitjeve që e ka marrë rastin për shkak që është raportuar si rast i tillë, veprimet hetimore janë duke vazhduar ende”, ka vijuar ai.

Avokati Berisha ka thënë se për këtë vrasje në fillim është planifikuar një aksident.

“Nuk ka pasur një kurdisje të tillë të një krimi makabër në historinë e drejtësisë kosovare, është një nga krimet më të gatuara, me gjakftohtësinë më të madhe, nga njerëzit e afërm që fillimisht të gostitin për darkë, e në të njëjtën darkë ftojnë edhe vrasësin e dyshuar dhe e gjitha ndodh përballë fëmijëve. Nëse kjo është e vërteta, të tilla prita ka pasur për burra, por jo për gra. Secili krim ka shpjegim, vetë ndodhia e tij tregon se nuk është diçka e re, por që motivi duhet të jetë kogja i fortë që ka quar deri në një ekzekutim të tillë. Për këtë vrasje ishte planifikuar një aksident”, ka shtuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat