SBAShK-u i reagon AShAK-ut: Depolitizohuni ju, jeni në linjë me tendencat e Qeverisë Kurti

Aktuale

SBAShK-u i reagon AShAK-ut: Depolitizohuni ju, jeni në linjë me tendencat e Qeverisë Kurti

Më: 16 dhjetor 2023 Në ora: 14:02
Rrahman Jasharaj

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (AShAK) gjatë ditës së djeshme doli me një reagim në lidhje me gjendjen në arsimin e Kosovës.

Aty, mes tjerash, u tha se duhet të bëhet depolitizimi i organizimit sindikal të Kosovës dhe që i njëjti të mos jetë vendimmarrës në procesin mësimor.

Për këtë deklaratë, ka reaguar kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës (SBAShK), duke thënë se ky institucion nuk e njeh ligjin për organizimin sindikal.

Rrahman Jasharaj thotë se kjo sindikatë është themeluar si kërkesë e kohës për të mbrojtur arsimin shqip në vitet e ‘90-ta “kundër furtunave të pushtuesit dhe këtë e bëri me mund e sakrifica bashkë me Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptarë ‘Naim Frashëri’ dhe me aktivet e drejtorëve të shkollave dhe këshilltarët e nderuar pedagogjikë”.

Ai thotë se deklarimi i AShAK-ut “është në të njëjtën linjë me tendencat e Qeverisë Kurti” e cila, sipas Jasharajt, ka për qëllim të shuajë sindikatat, e veçmas SBASHK-un, teksa thotë se ka ngritur “akuza me shpifje se jemi të atyre apo të këtyre”.

Në reagim, SBAShK-u thotë se kryesia e AShAK-ut, po ta njihte realitetin në Kosovë, “nuk do ta shkruanit pikën tre, as për hatër të Albinit sepse është urdhër për depolitizim e pa ndodhur kurrë politizimi”.

“AShAK, kuptojeni se anëtarë në SBAShK janë të punësuarit në arsim, që nga çerdhet e deri në universitete, por edhe shumë nga institucionet e nderuara të kulturës. Këta të punësuar jetojnë në tërë territorin e Kosovës dhe janë votues të partive të ndryshme, sipas vullnetit të tyre. Ata janë votues të partive të ndryshme, por në SBAShK jemi betuar të gjithë e e ruajmë unitetin. Unë, që të mos ju mbetem borxh në deklarime ju bëj apel që Ju të depolitizoheni sepse jeni mendja dhe dija e këtij vendi”, tha në fund Rrahman Jasharaj, kryetar i SBAShK-ut.

Akademia e Shkencave, dje doli me nëntë rekomandime për të trajtuar gjendjen e arsimit në Kosovë.

Në mesin e tyre është edhe pika 3, që thotë:

“E treta, organizimi sindikal i mësuesve dhe arsimtarëve duhet urgjentisht të depolitizohet dhe të mos jetë vendimmarrës në procesin arsimor. Sindikatat dhe këshillat e prindërve nuk mund të marrin vendime që bien ndesh me ligjin”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat