Berishës edhe pesë të tjerëve u vazhdohet edhe për dy muaj masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, njërit arresti shtëpiak

Aktuale

Berishës edhe pesë të tjerëve u vazhdohet edhe për dy muaj masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, njërit arresti shtëpiak

Më: 18 dhjetor 2023 Në ora: 11:29
Besnik Berisha

 Gjykata Themelore në Ferizaj ka marrë vendim, me të cilin ia ka vazhduar edhe për dy muaj masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, avokatit Besnik Berisha, Ismet Salihut, Jeton Vuniqit, Fidan Zubakut, Refik Cakollit dhe Adonis Salihut, kurse Nexhat Xhafës i është vazhduar edhe për dy muaj masa e arrestit shtëpiak.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar Zyra për Informim e kësaj gjykate.

Masat në fjalë ndaj shtatë të dyshuarve u është vazhduar nga data 8 dhjetor 2023 deri më 7 shkurt 2024, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, më 12 tetor 2023, Berishës i ishte vazhduar edhe për dy muaj masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, ndërsa gjashtë të tjerëve iu ishte ndryshuar masa.

Ata dyshohen për “Ushtrim ndikimi”, “Pengim i procedurës penale” dhe “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale”.Ndërsa, Gjykata Themelore në Ferizaj, më 13 korrik 2023 kishte marrë vendim, me të cilin ua ka vazhduar për dy muaj (deri më 12 gusht 2023), masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, avokatit Besnik Berisha, arrestin shtëpiak të dyshuarit Ismet Salihu, si dhe masën e paraburgimit pesë të dyshuarve tjerë Nexhat Xhafa, Jeton Vuniqi, Fidan Zubaku, Refik Cakolli dhe Adonis Salihu.

Kurse, kjo Gjykatë më 18 gusht kishte marrë vendim, me të cilin Berishës ia vazhdoi masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, arrestin shtëpiak të dyshuarit Ismet Salihu, si dhe masën e paraburgimit pesë të dyshuarve tjerë Nexhat Xhafa, Jeton Vuniqi, Fidan Zubaku, Refik Cakolli dhe Adonis Salihu.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar ekskluzivisht për dosjen e shtatë të dyshuarve, me detaje se për çka dyshohen të pandehurit dhe pretendimet e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, e cila kishte marrë aksion duke i arrestuar të dyshuarit për veprat e lartpërmendura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat