Vlerësohet se nuk ka arsye për t’u kundërshtuar anëtarësimi i Kosovës në KiE

Aktuale

Vlerësohet se nuk ka arsye për t’u kundërshtuar anëtarësimi i Kosovës në KiE

Më: 18 dhjetor 2023 Në ora: 15:57
Foto ilustrim

Raporti i juristëve eminentë të Këshillit të Evropës nuk parasheh asnjë pengesë për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare. Kështu u tha në takimin e Grupit Koordinues për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës të hënën.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti tha se raporti për Kosovën është pozitiv dhe tani s’ka asnjë arsye për të kundërshtuar dhe as vonuar anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Ahmeti: S’ka arsye për të kundërshtuar dhe as vonuar anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës

“Raporti përfundimtar i juristëve eminentë i cili tashmë është publikuar dhe që ka qëllim të trajtojë nëse ligjor i Kosovës është në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës e konfirmoj një gjë të tillë. Theksoi se përveç që Kosova plotëson standardet e Këshillit të Evropës ajo në shumë çështje i tejkalon standardet ndërkombëtare. Kjo është fitorja e tretë përgjatë këtij procesi të anëtarësimit. Fitore e cila tregon se s’ka asnjë arsye për të kundërshtuar anëtarësimin e plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës, apo për të vonuar këtë anëtarësim. Sigurisht se nuk mund të gjejmë asnjë shtet në botë i cili nuk është objekt i një raportimit dhe i cili nuk pranon rekomandime. Kjo sepse nuk mund të ketë një shtet që arrin cakun përfundimtar të zhvillimit dhe mirëqenies, derisa progresi në vetvete është një fenomen i përhershëm”, tha ai.

Në anën tjetër, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, njëherësh edhe kryesuese e delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, tha se është dëshmuar se Kosova qëndron mirë në aspektin legjislativ me standardet e Këshillit të Evropës, por kërkoi lobim të vazhdueshëm për të përmbyllur fazën finale të anëtarësimit në KiE.

Bogujevci: Duhet lobim i vazhdueshëm për anëtarësim në Këshill të Evropës

“Si vend kemi dëshmuar që qëndrojmë mirë, duke filluar nga Kushtetuta dhe ligjet që i kemi në fuqi që qëndrojmë shumë më mirë sesa plotë vende anëtare në Këshillin e Evropës. Kjo jo vetëm në aspektin e dëshmisë së raportit të juristëve eminentë, por edhe në pikat e ndryshme edhe gjatë diskutimeve që bëhen në Asamblenë Parlamentare shihet se ne qëndrojmë shumë më mirë si vend...Një aspekt që dua të përmend është lobimi i vazhdueshëm, pasi Serbia në vazhdimësi mundohet të pengojë çdo proces të Kosovës, njëjtë e bën edhe në Këshillin e Evropës. Por është një imazh shumë pozitiv ndaj Kosovës në asamble, por prapë se prapë ne duhet të punojmë shumë për lobimin e Kosovës”, tha Bogujevci.

Detaje më të mëdha për raportin e juristëve eminentë të KiE-së për Kosovën dha këshilltarja e jashtme në MPJD, Adelina Hasani.

Hasani: Raporti nuk parasheh asnjë pengesë për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës

Raporti nuk parasheh asnjë pengesë për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Përderisa raporti ofron rekomandime për përmirësimin e gjendjes në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, ai nuk parasheh ndonjë parakusht për anëtarësim. Raporti konfirmon se Kosova ka kontroll efektiv në të gjithë territorin dhe popullatën e saj, gjë e cila është shumë relevante për zbatimin e neneve 3 dhe 4 të statutit të Këshillit të Evropës. Këto nene kërkojnë që shteti që synon të bëhet anëtare duhet të garantojë dhe zbatojë obligime për të gjithë territorin e vendit. Raporti konfirmon se Kosova po vlerësohet si shtet kandidat për anëtarësim dhe jo si vend, ngase raporti asnjëherë nuk i referohet nenit 5 por vetëm nenit 3 dhe 4 që flasin për anëtarësimin e shteteve”, tha ajo.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës në maj të vitit 2022, ndërkaq këtë vit Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës ka vendosur që kërkesën për aplikim të Kosovës në t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për procedura të mëtejme. Së fundmi juristët eminentë të Këshillit të Evropës kanë publikuar raportin për Kosovën sa i përket përputhshmërisë së legjislacionit kosovar me standardet e KiE-së./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat