Deputetja Reshitaj: Disa komuna janë diskriminuar me buxhetin e vitit të ardhshëm

Aktuale

Deputetja Reshitaj: Disa komuna janë diskriminuar me buxhetin e vitit të ardhshëm

Më: 19 dhjetor 2023 Në ora: 00:45
Albena Reshitaj

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Albena Reshitaj, tha se nuk është e kënaqur me ndarjen e buxhetit të shtetit për vitin e ardhshëm, raporton teve1.info

Reshitaj në Tëvë1, tha se për herë të parë nuk është marrë parasysh asnjë amendament i asnjë deputeti sa i përket Projektligjit për Buxhetin e vitit 2024, gjë që sipas saj ka bërë të diskriminohen disa komuna të Kosovës.

Ndërsa, kur u pyet nëse është e pakënaqur me buxhetin prej 1.77 euro për kokë banori për komunën e Suharekës prej nga deputetja e ka prejardhjen, ajo tha se kërkoi një çerdhe për këtë qytet dhe ajo nuk iu mor parasysh nga shumica.

“Nuk jam e kënaqur me buxhetin që është ndarë për Komunën e Suharekës por nuk jam e kënaqur edhe me mosvotimin e asnjë amendamenti të deputetëve brenda këtij buxheti. Unë shembull kam pas amendament për ndërtimin e një çerdheje në Suharekë, e domosdoshme që të realizohet aty duke e pas parasysh edhe pjesën e vet prioriteteve të Qeverisë dhe politikes së arsimit për zhvillim në edukim në fëmijëri të hershme dhe nuk është përkrahur. Janë premtuar shumë çerdhe por janë realizuar deri tani shumë pak. Kjo të bënë të kuptosh ndonjëherë që zhgënjimi është e para që të ndodh pas një votimi të një buxheti që për mendimin tim për disa komuna ka qenë diskriminues, jo i barabartë duke u nisur nga projektet që i kanë dorëzuar ato”, u shpreh Reshitaj.

Ndërsa, e pyetur sa i përket sektorit të bujqësisë në Kosovë, Reshitaj tha se për herë të parë janë prekur disa çështje shumë të rëndësishme nga ministri Faton Peci.

“Ligjet të cilat janë sjellë nga ky dikaster në Komisionin për Bujqësi ku unë marr pjesë, janë të tilla që në fakt edhe monitorimin e ligjeve ekzistuese të cilat jemi duke i bërë, na nxjerrin rekomandime të tilla që janë shumë të rëndësishme, shumë të veçanta dhe gjërat kanë filluar të ndryshojnë në drejtimin e duhur, mirëpo rezistencat janë shumë të mëdha por unë e përgëzoj për punën që është duke e bërë ministri i Bujqësisë Faton Peci”, tha Reshitaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat