Deklarata e fundit jehonë e kryeministrit Kurti, reagon Pozhari: Kaq e thjeshtë është për ata që duan të kuptojnë!

Aktuale

Deklarata e fundit jehonë e kryeministrit Kurti, reagon Pozhari: Kaq e thjeshtë është për ata që duan të kuptojnë!

Nga: A.Zh Më: 19 dhjetor 2023 Në ora: 08:47
Albin Kurti dhe Xhevdet Pozhari

Analisti Xhevdet Pozhari, ka thënë se konteksti i deklaratës së kryeministri Albin Kurti se “Në vendet tjera s'i shohin as në ëndërr rezultatet e mia”, është ndryshe, nga ç’u raportua në media.

Në një postim në Facebook, Pozhari ka thënë se Kurti ka krahasuar statistikat për buxhetin e Kosovës me vetveten, jo me shtetet tjera.

Sipas tij, kryeministri Kurti ka hedhur pretendimin se asnjë shtet nuk mund ta rrisë buxhetin e tij çdo vit për 15% ose brenda 3 viteve të ketë 35% më shumë buxhet.

Reagimi i plotë i Pozharit:

Sot (të dielën) iu dha jehonë titullit - Kurti mburret: Në vendet tjera s'i shohin as në ëndërr rezultatet e mia

Kur e lexova u brengosa sepse një deklarim i tillë përveç se paraqet dëlir, është edhe shumë i dëmshëm për një lider.

Prandaj, e gjeta fjalimin e plotë dhe kuptova se konteksti është ndryshe - krahasimi është me vetveten (nëse do ta bënte secili shtet).

Pjesa origjinale e asaj pjese: ".... Me politikat tona pro-zhvillimore, të hyrat buxhetore gjatë periudhës janar–nëntor 2023 kanë arritur vlerën prej 2.6 miliardë eurosh, 340 milionë Euro ose 15% më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. A e kuptoni, ne po e tejkalojmë veten për 15%. Në vendet e tjera, qeveritë as ëndërr se shohin dot ta bëjnë brenda mandatit të tyre 15% më shumë se qeveria paraprake në vendin përkatës. Ne, year on year, vit pas viti, këtë vit kemi 15% më shumë të hyra sesa vitin e kaluar..."

Pra, Kryeministri Kurti iu referohet të hyrave buxhetore 2.6 miliardë euro që janë 340 milionë euro më shumë sesa periudha e njëjtë e vitit të kaluar, apo thënë ndryshe, 15%. Sipas tij, shtetet e tjera nuk kanë mundësi të njëjtën ta bëjnë në shtetin e tyre që të kenë 15% të hyra më shumë sesa viti i kaluar. E, jo që i krahason me Kosovën.

Pra, thjeshtë është një krahasim i secilit shtet me vetveten.

Ose, thënë ndryshe, theksi është tek buxheti i vitit 2024, në vlerën prej 3 miliardë e 314 milionë euro, më i larti që ka pasur Kosova ndonjëherë. Ndërsa, që nga fillimi i mandatit të kësaj Qeverie, buxheti është rritur për 860 milionë euro (35% buxhet më shumë).

Pra, Kurti ka hedhur pretendimin se asnjë shtet nuk mund ta rrisë buxhetin e tij çdo vit për 15% ose brenda 3 viteve të ketë 35% më shumë buxhet.

Kaq e thjeshtë është për ata që duan të kuptojnë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat