Përurohet parku industrial në Viti, Kurti: Do ta rrisë zhvillimin ekonomik dhe rajonal

Aktuale

Përurohet parku industrial në Viti, Kurti: Do ta rrisë zhvillimin ekonomik dhe rajonal

Më: 19 dhjetor 2023 Në ora: 13:17
Kryeministri, Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se në tri vitet e ardhshme do të investojnë edhe 33 milionë euro për ndërtimin e parqeve të reja industriale dhe teknologjike. Sipas tij, po ofrohet hapësirë shtesë për biznese dhe po nxitet ndërmarrësia. Kështu u shpreh ai një inaugurimin e zonës ekonomike në Budrikë të Vitisë, ku theksoi se do të ketë kontribut të rëndësishëm për rritjen e zhvillimit ekonomik dhe rajonal.

Në inaugurimin e këtij parku, shefi i ekzekutivit theksoi se do të ofrohet punësim dhe aftësim për të rinjtë.

Kurti: Parku industrial do të jap kontribut për zhvillimin ekonomik

Parku Industrial i sapo ndërtuar këtu do të jap një kontribut të rëndësishëm për rritjen e zhvillimit ekonomik dhe rajonal. Në veçanti ky park që sot e inaugurojmë, investim kapital prej 1,7 milionë euro nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë edhe Tregtisë në hapësirë prej 15, 5 hektarë, këtu në komunën e Vitisë do të mbështes investimet e përgjegjshme dhe të qëndrueshme të bizneseve tona nga diaspora dhe investimet e huaja, mandej do të nxis veprimtari prodhuese dhe përpunuese me teknologji të përparuar, do të ofrojë punësim dhe aftësim për të rinjtë tanë si shtyllë e zhvillimit dhe e transformimit progresist të vendit tonë. Si dhe do të rris bashkëpunimin ndërmjet bizneseve dhe promovimin e tyre për një ekosistem inovativ me rritje të konkurrueshmërisë për më shumë eksporte e për më pak deficit tregtar”, deklaroi Kurti.

Kryeministri Albin Kurti tha se bizneset që do të operojnë në këtë park industrial gëzojnë qasje më të lehta në transport, energji elektrike, ujë, internet dhe shërbime të tjera.

Kurti: Në tre vitet e ardhshme do të investojmë edhe 33 milionë euro për ndërtimin e parqeve

Falë këtij parku ato do të kursejnë deri në 30 për qind të investimit të tyre total. Përveç bizneseve bashkë me to do të përfitojnë edhe të rinjtë tanë. Ky park industrial do të ofrojë hapësirë të inkubimit edhe të krijimit të bizneseve fillestare. Kështu të rinjtë tanë do të kenë më shumë mundësi të reja në vend, më përpara e në vend se t’i kërkojnë ato jashtë vendit. E këtë hapësirë që po i inaugurojmë sot do ta gëzojnë së shpejti përmes thirrjeve publike rreth 30 biznese. Ky nuk është as investimi i parë dhe as i fundit në shërbim të bizneseve, organizime e inaugurime të ngjashme do të kemi në vazhdimësi. Në tre vitet e ardhshme do të investojmë edhe 33 milionë euro për ndërtimin e parqeve të reja industriale dhe teknologjike. Përmes tyre po ofrojmë hapësirë shtesë për biznese dhe po nxisim edhe më shumë ndërmarrësinë, parakushte këto për punësim, zhvillim dhe transformim”, shtoi Kurti.

Kurti u zotua se me qeverisjen e tij, qarkullimi i bizneseve ka vazhduar të rritet. Gjatë periudhës janar-tetor 2023 është rritur vlera për 15, 83 miliardë euro, apo gati shtatë për qind më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari u shpreh se presin që ky park të popullohet me bizneset e vendit.

Hajdari: Deri më tani kemi shpallur 10 zona ekonomike me 354 hektarë hapësirë

Përkrahja dhe fuqizimi i bizneseve tona që janë shtytës kryesor të zhvillimit dhe transformimit socio-ekonomik dhe mjedisor në vendin tonë është një nga synimet e qeverisjes sonë. Sepse investimet tona si kjo sot me investime kapitale 1,7 milionë euro për këtë zonë në Budrikë dhe përmes instrumenteve të ndryshme mbështetëse nga qeveria dhe sektorët industrial me prodhime dhe shërbime me vlerë të lartë të shtuar përveç punësimit dhe trajnimit të të rinjve tanë po e rrisin konkurrencën dhe integrimin e prodhimeve vendore në zingjirët evropianë dhe global të vlerës, respektivisht rritjen e eksporteve dhe transformimin më të shpejt ekonomik të vendit tonë”. Për këtë qëllim ne si ministri kemi shpallur deri më tani 10 zona ekonomike në Republikën e Kosovës, me total 354 hektarë hapësirë në tetë komuna, deklaroi ajo.

Në këtë park industrial në Budrikë, ministrja Hajdari tha se do të vendosen 30 biznese.

E kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti bëri kërkesë që kjo zonë ekonomike të rritet.

Haliti: Kjo zonë ekonomike duhet të rritet

Ne mendojmë se kjo zonë ekonomike duhet të rritet, por dëshiroj të njoftoj kryeministrin dhe ministren Hajdari por gjithashtu edhe sektorët e tjerë se ne nuk po rrijmë duarkryq vetëm me këtë. Tash jemi duke ndërtuar inkubatorin e bizneseve krahas parkut industrial në Viti, ku sigurisht do të kemi edhe rritjen e shoqatave të grave, të fermerëve, rritjen e bizneseve, përgatitjen me kompetencë për shkak se kemi bërë qendrën e karrierës me USAID-in amerikan, qendrën e aftësimit profesional me Bashkimin Evropian dhe Odën Austriake. Ndërkohë jemi duke punuar edhe me hapjen e qendrës inovative për bujqësi”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat