Telekomi serb në Kosovë gjobitet me mbi 1.5 milion euro

Aktuale

Telekomi serb në Kosovë gjobitet me mbi 1.5 milion euro

Më: 20 dhjetor 2023 Në ora: 17:00
Foto ilustrim

Autoriteti i Konkurrencës i Kosovës (ARKR) ka njoftuar se ndërmarrjes MTS d.o.o, që është degë e Telekomit të Serbisë në Kosovë, i ka shqiptuar gjobë prej mbi 1.5 milion euro.

AKRK-ja thotë se MTS d.o.o. ka shkelur dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, duke mos parashtruar kërkesën për njoftimin e detyruar për përqendrim për blerjen e 100 për qind të aksioneve të ndërmarrjeve VGN NET d.o.o, LIKA d.o.o, PP. PRKDS-IMPULS në emër të I. R. – B.I. dhe Herc International.

“Autoriteti i Konkurrencës së Republikës së Kosovës njofton opinionin se duke u bazuar në legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës, më saktësisht në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës ka marrë vendim që Ndërmarrjes MTS d.o.o Dega në Kosovë t’i shqiptohet masa e sanksionit administrativ-gjoba në shumë prej 1,563,959.26 (një milion e pesëqind e gjashtëdhjetë e tre mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e nëntë euro e njëzetë e gjashtë cent)”, thuhet në njoftimin e AKRK-së.

Sipas vendimit, paratë e gjobës duhet të derdhen në llogarinë bankare të buxhetit të Kosovës.

Sipas ARKR-së, MTS d.o.o., është kompani në pronësi të plotë të “Telekom Srbija a,d”, me adresë të regjistruar në: Takovska 2, 11000 Beograd, Serbia. Operatori i shpërndarjes MTS D.0.0., me seli në Mitrovicën Veriore, operon në këto komuna: Mitrovica Veriore, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, Vushtrri, Novobërdë, Gjilan, Partesh, Shtërpcë, Graçanicë dhe në Komunën e Fushë-Kosovës.

Operatori MTS D.O.0., është themeluar në tetor të vitit 2015, në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe Planin e Veprimit nga sfera e telekomunikacionit, me qëllim të kryerjes së aktivitetit të telekomunikacionit në territorin e Kosovës. Marrëveshja ra dakord që Kosova të marrë kodin e saj të zonës – 383 dhe që “Telekom Srbija” të regjistrohet në sistemin e Kosovës dhe të aplikojë për licencë të telefonisë mobile në mënyrë që, sipas palës kosovare, të vazhdojë përkohësisht të operojë në Kosovë.

Është i regjistruar për ofrimin e shërbimeve të mëposhtme të komunikimeve elektronike: Shërbimet e rrjetit publik fiks: shërbimi i telefonisë zanore, shërbimet me vlerë të shtuar, shërbimi i linjës me qira, shërbimi i transmetimit të të dhënave (qasja në internet), shërbimi i shpërndarjes së përmbajtjes mediatike; Shërbimet e rrjetit publik celular: shërbimi i telefonisë zanore dhe shërbimi i transmetimit të të dhënave. Telekom Srbija a.d. Beograd, është themeluesi i kompanisë së sipërpërmendur të biznesit dhe anëtari i vetëm i saj me 100% të aksioneve.

Me 12 tetor 2015 kompania e re “MTS” D.O.0. Kompania me Përgjegjësi të Kufizuar është themeluar dhe regjistruar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë me numër të regjistrimit të biznesit 71206742 dhe numër unik identifikimi 81 1164029. Kompania gjendet në Mitrovicë, Kosovë. Aktiviteti kryesor i biznesit të kompanisë është ofrimi i shërbimeve të telekomunikacionit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat