KFOR-i patrullon kufirin me Serbinë dhe Liqenin e Ujmanit

Aktuale

KFOR-i patrullon kufirin me Serbinë dhe Liqenin e Ujmanit

Më: 21 dhjetor 2023 Në ora: 21:10
KFOR

Rrugët malore e aspak të përshtatshme janë një rutinë për këtë njësit me ushtarë italianë të KFOR-it.

Nga rrafshi i Zveçanit, patrullimi vazhdon nëpër fshatin Zhitkoc, pastaj në Zheronicë për të dalë në majen e malit në Zhaviçaj.

Prej aty patrolla e KFOR-it Italian zbret në afërsi të fshatit Çabër, ndër të paktat zona të Zubin Potokut e banuar me shqiptarë.

Prej aty rutina vazhdon në drejtim të kufirit, por zona kufitare, të paktën me Serbinë, nuk nënkupton vetëm terrene të papërshtatshme malore.

Përpos kufirit me Serbinë, trupat italiane të KFOR-it patrullojnë edhe liqenin e Ujmanit, dhe malet përreth. Patrullimi kryhet 24 orë në ditë.

9.2 kilometra katrorë të liqenit janë në territorin e Kosovës dhe 2.7 të tjera në Serbi.

Pos zonës ujore patrullimi vazhdon edhe në këmbë, ndonëse me raste nuk janë të pajisur me armë të gjata, varet nga situate e po ashtu kombësia e ushtarëve dhe politika e atij shteti.

“Patrullat tona janë prezente, ne lëviznim në të gjithë hapësirën, si për shembull në vijën kufitare administrative, në Zubin Potok, në Zveçan. ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”,  Guglielmino Esercito, Kapiten.

Ditët e fundit të këtij viti janë deri diku të qeta e pa telashe, por intensifikimi i patrullimeve të KFOR-it, por më e rëndësishmja, numrit të ushtarëve, erdhën vetëm pas dhunës së muajit maj dhe sulmit terrorist të Banjskës, këtë shtator.

Vitin e kaluar KFOR-i numëronte 3700 ushtarë ndërsa këtë vit numri shkon në afër  4600.

Italia prin për nga numri i ushtarëve, e numër të përafërt të ushtarëve kanë sjellë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Turqia. Krahas shteteve tjera, në Kosovë aktualisht janë 869 ushtarë italianë, 593 amerikanë, dhe 369 ushtarë janë nga Turqia.

Udhëheqësi i epikës, tregon që kanë komunikim të mirë me banorët lokal e po ashtu edhe me forcat e Policisë së Kosovës.

“Njerëzit këtu kanë përshtypje shumë pozitive për prezencën tone. Ne kemi shumë patrullime të përbashkëta (me Policinë) pra gjithçka koordinohet paraprakisht para patrullimit, gjithçka është e planifikuar, ne nuk kemi problem me komunikimin me të tjerat njësi”, ka deklaruar ai.

Kufiri me Serbinë është kryesisht zonë malore dhe ka gjatësi gati 400 kilometra, ndërsa përveç KFOR-it, patrullime të vazhdueshme kryhen edhe nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat