“Një nga vendet e para që ka njohur pavarësinë”, Bullgaria i jep “premtim” Kosovës se do ta ndihmojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Aktuale

“Një nga vendet e para që ka njohur pavarësinë”, Bullgaria i jep “premtim” Kosovës se do ta ndihmojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Më: 22 dhjetor 2023 Në ora: 06:21 Përditësuar në ora: 12:17 më 22.12.2023
Rumen Radev dhe Vjosa Osmani

S’e zbaton marrëveshjen me Kosovën, presidenti bullgar: Mos të harrojmë që Serbia është në bisedime me BE-në

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, sot në Prishtinë në një konferencë të përbashkët me Presidenten Osmani, u pyet për letrën që Serbia u ka dërguar shteteve anëtare të BE-së përmes së cilës iu ka treguar se nuk do ta zbatojë marrëveshjen me Kosovën, të ndërmjetësuar nga BE.

Nuk foli për masa ndëshkuese ndaj Serbisë për moszbatimin e obligimeve të marra karshi Unionit, por presidenti bullgar tha se Serbia është në proces të anëtarësimit me Bashkimin Europian, prandaj kjo shërben si instrument.

“Le të mos harrojmë se Serbia është në proces bisedimi me BE-në për anëtarësim dhe ky është instrument i fuqishëm për rregullimin e marrëdhënieve të BE-së dhe Serbisë. Sa i përket Bullgarisë, ne vazhdojmë të ngulim këmbë për dialogun si mënyrën e vetme për zgjidhjen e problemeve dhe paralelisht për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve deri më tani. Kjo është e vetmja rrugë. Ne kategorikisht përjashtojmë provokimet e armatosura dhe dhunën dhe shprehim edhe shqetësim për situatën në veri. Pranoni keqardhjen për humbjen e policit”.

 Radev tha se BE duhet të ketë një rol aktiv për dialogun intensiv Kosovë-Serbi.

Në anën tjetër, Osmani tha se Serbia tashmë mosgatishmërinë për të zbatuar zotimet e marra nga Marrëveshja e Ohrit nuk po e dëshmon vetëm me retorikë, por edhe me letra zyrtare.

Osmani: Do të hapim kapituj të ri të bashkëpunimit, ne e shohim Bullgarinë si shtet mik

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është deklaruar pas takimit që ka pasur me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev.

Osmani ka thënë se Bullgaria gjithmonë ka dhënë kontribut në ndërtimin e shtetit të Kosovës.

“Që nga viti 1999, e deri më tani Bullgaria ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e paqes dhe ndërtimin e shtetit tonë. Njohja e pavarësisë, përkrahja e Kosovës në Gjykatën e Drejtësisë, në organizata ndërkombëtare etj”, tha Osmani.

Presidentja deklaroi se vazhdojnë të llogarisin në përkrahjen e Bullgarisë.

“Duke ditur sfidat e sigurisë që po kalon rajoni ynë, është ë rëndësishme Kosova të bëjë hapa drejt anëtarësimit në NATO. Kemi aplikuar në procesin e anëtarësimit në BE. Çdo hezitim do të krijonte boshllëk akterëve dashakeqës ta destabilizojnë rajonin”, pohoi ndër tjera ajo.

Osmani tha se Kosova si vend demokratik, si një vend që ndan vlerat e përbashkëta, mbetet e palëkundur që të krijojë marrëdhënie të mira fqinjësore.

“Raporti me Bullgarinë ka qenë i një rëndësie të veçantë, do të krijojmë mundësi të reja. Do të hapim kapituj të ri të bashkëpunimit, ne e shohim Bullgarinë si shtet mik, aleat, jemi të gatshëm për bashkëpunime”, theksoi ndër tjera presidentja.

Presidenti i Bullgarisë, Radev: Do të vazhdojmë të japim ndihmë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev ka thënë se mes Kosovës dhe shtetit të tij ka ende hapësirë për zhvillim. 

Radev në një konferencë për media pas takimit që zhvilloi me presidenten e vendit, Vjosa Osmani u shpreh se Bullgaria është një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës.

Tutje ai përshëndeti përpjekjet e dy palëve që të ketë tregti mes dy vendeve.

“Shqyrtuam hapa konkret në zhvillimin e marrëdhënieve tona në perspektiv. Mes Kosovës dhe Bullgarisë akoma ka hapësirë për zhvillimin e së ardhmes, si dhe të zgjerojmë bazën juridike për marrëveshje të reja. Duhet të përshëndes përpjekjet e dy palëve që të ketë tregti mes dy vendeve, dhe jo vetëm të bëjmë tregti, por edhe të prodhojmë. Bullgaria është një nga vendet e para që në vitin 2008 njohu pavarësinë Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas tij, Bullgaria do të vazhdojë që të jap ndihmën e saj për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Bullgaria është një prej motorëve për integrimin e të gjitha vendeve për në BE. E dimë se sa është e vështirë që t’i zhvilloni këto reforma në fushën e drejtësisë”, u shpreh ai.

Nis konferenca Osmani-Radev

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, ka mbërritur për një vizitë zyrtare dyditore në Kosovë.

Ai është pritur me ceremoni shtetërore nga homologia e tij, Vjosa Osmani.

Presidentët Osmani dhe Radev kanë nisur konferencën për medie. 

Presidenti i Bullgarisë arrin në Kosovë, pritet me ceremoni shtetërore

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, ka mbërritur për një vizitë zyrtare dyditore në Kosovë.

Ai është pritur me ceremoni shtetërore nga homologia e tij, Vjosa Osmani.

Presidentët Osmani dhe Radev do të mbajnë edhe një konferencë për media, njofton Presidenca e Kosovës.

Më pas Presidenti i Bullgarisë do të takohet edhe me kryeministrin Kurti.

Takimi pritet të nis në orën 12:00.

Presidenti i Bullgarisë viziton sot Kosovën, Osmani e pret me ceremoni shtetërore

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë, më 22 dhe 23 dhjetor 2023.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani do ta pres Presidentin Radev me ceremoni shtetërore, e cila do të mbahet më 22 dhjetor 2023, në orën 10:00, në sheshin “Ibrahim Rugova”.

Mediat do të marrin pamje në pritjen ceremoniale dhe në fillim të takimit.

Ndërsa më pas Presidentja Osmani dhe Presidenti Radev do të mbajnë konferencë për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat