Kurti, besimtarëve të krishterë: Shkurt e shqip, urime Kërshëndellat dhe Buzmi bujar

Aktuale

Kurti, besimtarëve të krishterë: Shkurt e shqip, urime Kërshëndellat dhe Buzmi bujar

Më: 24 dhjetor 2023 Në ora: 20:49
Fotografi e publikuar nga Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar besimtarët katolikë, me rastin e festës së Krishtlindjes.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se kjo datë është një ngjarje dashurie që zgjat vazhdimisht.

Postimi i kryeministrit Kurti:

Duke e uruar Krishtlindjen!

Teksa po hyjmë në javën e fundit të këtij viti, besimtarët e krishterë e festojnë Krishtlindjen! Urime Krishtlindja besimtarëve të krishterë në vendin tonë: qytetarëve të krishterë të Kosovës dhe banorëve të huaj të krishterë në shtetin tonë.

Lindja e Jezu Krishtit është një ngjarje dashurie që zgjat vazhdimisht, e cila përmbushë vullnetin e Perëndisë sot, tani dhe gjithmonë. Përmbushja e vullnetit të Zotit nuk njeh kalimin e kohës, por mbetet “gjithmonë tani” e përjetësisë. Ata që marrin paqen e Krishtit, vetë bëhen paqebërës dhe pjesëmarrës në lumturinë e Perëndisë.

Lindja e Jezu Krishtit para më shumë se dy mijë vitesh, si ardhje e lajmit të mirë mes njerëzish, përçoftë edhe më tutje çdo ditë fjalën e Perëndisë në zemrat e atyre që besuan. Urime Krishtlindja të gjithë katolikëve dhe protestantëve si dhe urime atyre ortodoksëve që lindjen e Krishtit e festojnë më 25 dhjetor.

Ndër ne shqiptarët, kjo kohë festash përkon edhe me festën e Buzmit bujar, fillimit të zgjatjes së ditës dhe ditëknelljen, që në besimet popullore shqiptare festohet nën ngrohtësinë e zjarrit të vatrave tona. Andaj shkurt e shqip: urime Kërshëndellat dhe Buzmi bujar!

Të bekuar qofshin të gjithë ata që çdo ditë punojnë dhe mundohen për të mirën publike, për mirëqenien e përgjithshme dhe për të ardhmen tonë të përbashkët!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat