PDK e çon në Kushtetuese edhe vendimin për shkarkimin e Agron Bekës

Aktuale

PDK e çon në Kushtetuese edhe vendimin për shkarkimin e Agron Bekës

Më: 26 dhjetor 2023 Në ora: 15:00
Agron Beka

Deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë, edhe vendimin e Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e anëtarit joprokuror të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Agron Beka.

Kjo është konfirmuar nga avokati Faton Fetahu, i cili njëherit është edhe përfaqësues i autorizuar i deputetëve të Grupit Parlamentar të PDK-së, përcjell klankosova.tv.

”Ju njoftoj zyrtarisht në emër të GP të PDK-së se tashmë e kemi kontestuar në Kushtetuese edhe vendimin arbitrar të Kuvendit për shkarkimin e anëtarit joprokuror të KPK-së”, ka thënë Fetahu, për Betimi për Drejtësi.

Ndryshe, më 15 dhjetor 2023, deputetët e Kuvendit të Kosovës shkarkuan Agron Bekën nga pozita e anëtarit joprokuror të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Për shkarkimin e tij, votuan 62 deputetë.

Pas shkarkimit të Bekës, kishte reaguar edhe KPK-ja, duke paralajmëruar kontestim të vendimit përmes mekanizmave ligjor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat