Ish ministri i brendshëm thotë se armatimi i gjetur në veri mund të jetë nga viti 1998/99

Aktuale

Ish ministri i brendshëm thotë se armatimi i gjetur në veri mund të jetë nga viti 1998/99

Më: 26 dhjetor 2023 Në ora: 18:39
Bejtush Gashi

Ish ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bejtush Gashi, tha se armatimi i gjetur së fundmi në veri të Kosovës mund të ketë mbetur që nga vitet 1998/99.

Gashi tha se ajo sasi e armatimit është e vogël, derisa shtoi se më e rrezikshme është sasia e armëve e cila gjendet në duart e qytetarëve të Kosovës në përgjithësi, jo vetëm tek komunitetet.

“Sasia që është konfiskuar dje është e vogël, mediatikisht është bërë e madhe për faktin se ai territor nuk është kontrolluar, ka armë dhe mjete që kanë mbetur që nga periudha e vitit 1998/99 kështu që në të ardhmen sigurisht do të ketë një përqendrim që quhet krehje e asaj pjese territoriale dhe bashkëpunim me popullatën për të mundur që të konfiskohet arsenali që ndodhet në duart e qytetarëve në atë pjesë. Bazuar në statistika, sa i përket armëve, ndodhet një kontingjent i konsiderueshëm jo vetëm te komunitetet dhe si të tilla nëse nuk kontrollohen mund të përdoren për raste të veçanta”, tha Gashi.

Ndërsa, deklaratat e presidentes dhe kryeministrit për sulme të reja të mundshme në veri, Gashi i quajti jo të mirëpritura, pasi sipas tij ato ndikojnë në ikjen e investitorëve potencial.

“Deklaratat e krerëve institucional nuk janë të mirëpritura për faktin se si të tilla krijojnë një panik në popullatë dhe në të njëjtën kohë, jo vetëm te opinioni i brendshëm por mund të ketë afektim negativ edhe te të gjithë investitorët potencial që kanë shpreh interesim të investojnë në Kosovë dhe mund të ketë perceptim negativ për shkallën e sigurisë që Kosova e ka”, tha Gashi.

Ndërkohë, ai shtoi se Kosova është territori më i sigurt në rajon për faktin se sipas tij ka më së shumti koncentrik ushtarak për metër katror.

Gashi situatën aktuale të sigurisë e quajti stabile por të brishtë, gjë që sipas tij nuk garanton që nuk mund të ketë reagim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat