Diplomati britanik: Demokracia në Serbi është e brishtë

Aktuale

Diplomati britanik: Demokracia në Serbi është e brishtë

Më: 26 dhjetor 2023 Në ora: 20:55
Timothy Less

Profesori i Qendrës për Gjeopolitikë në Universitetin Cambidge, Timothy Less, thotë se rezultatet e zgjedhjeve në Serbi dëshmuan se një pjesë e madhe e qytetarëve serb preferojnë partinë e Vuçiqit në pushtet. Megjithatë ai thotë se komuniteti ndërkombëtar do të ketë një qasje më ndryshe karshi Serbisë, për shkak të shumë parregullsive në procesin zgjedhor.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq po këmbëngul se zgjedhjet ishin të rregullta dhe të drejta, pavarësisht se vëzhguesit ndërkombëtar raportuan për një sërë shkeljesh gjatë procesit zgjedhor.

Partia e tij fitoi mbi 47% për qind të votave, dhe pritet të ketë mbi 127 ulëse në kuvendin e Serbisë.

Por diplomati britanik, Timothy Less, vlerëson se pavarësisht parregullsive gjatë procesit zgjedhor, ka shumë qytetarë serb që preferojnë partinë e Vuçiqit të jetë në krye të Serbisë.

Less, thotë Partia Progresive Serbe pa ndonjë problem do të vazhdojë ta mbajë pushtetin.

“Mendoj se pika kyçe është se Partia Progresive Serbe performoi më mirë se në vitin 2022, gjë që sugjeron që publiku e miraton gjerësisht performancën dhe politikën e saj të modernizimit ekonomik, balancimit ndërkombëtar dhe nacionalizmit të moderuar. Meqenëse presidenti Vuçiq ka thënë se nuk e ka ndërmend të mbajë zgjedhje të tjera deri në vitin 2027, Serbia do të përjetojë një periudhë qeverisjeje relativisht të fortë dhe të qëndrueshme me dy pasoja kryesore. Njëra është se ai mund të marrë vendime jopopullore në shtëpi, për shembull, të fillojë të nxjerrë litium përballë kundërshtimit të liberalëve. Dhe e dyta është se ai mund të përballojë presionin nga jashtë për të bërë lëshime të padëshiruara për Kosovën”, tha diplomati britanik, Timothy Less.

Sipas Timothy Less, zgjedhjet e fundit në Serbi tregojnë se demokracia e vendit vazhdon të jetë e brishtë.

Andaj ai thotë se komuniteti ndërkombëtar nuk do të qëndrojë i heshtur dhe do ta ndëshkojë Serbinë.

“Kjo tregon se demokracia është ende e brishtë në Serbi. Akuzat për parregullsi tregojnë se Partia Progresive Serbe nuk është e gatshme të lejojë votuesit të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve nëse kjo rrezikon që partia të humbasë pushtetin. Ka shumë implikime, por Serbia ndoshta do të paguajë një çmim për këtë ndërkombëtarisht. Shanset e Serbisë për t’u anëtarësuar në BE ndoshta kanë pësuar një goditje dhe SHBA-ja nuk e ka përjashtuar mundësinë për një ndryshim në marrëdhëniet e saj me Serbinë”, u shpreh Less.

Britaniku ka folur edhe për protestat e qytetarëve serb që po kërkojnë të përsëriten zgjedhjet në Beograd.

Por, ai shprehet skeptik se do të ketë sërish zgjedhje në kryeqytetin e Serbisë.

“Protestat ishin të mëdha dhe të menjëhershme. Megjithatë unë nuk pres që të ketë rivotime në Beograd, edhe pse kjo nuk është pamundur. Nëse rezultatet qëndrojnë, atëherë administrata e re e qytetit do të njolloset nga akuzat se ata janë aty për shkak të manipulimit zgjedhor. Kjo do ta dëmtojë legjitimitetin dhe pozitën e qeverisë kombëtare dhe presidentit Vuçiq. Megjithatë, nuk besoj se kjo do të jetë vendimtare. Ecuria ime kryesore nga zgjedhjet, siç them unë, është se qeveria do të jetë relativisht e fortë dhe e qëndrueshme, të paktën sipas standardeve të viteve të fundit”, deklaroi Less.

Departamenti amerikan i shtetit, u ka bërë thirrje autoriteteve në Serbi që të bashkëpunojnë me misionin e OSBE-së në hetimin e pretendimeve për parregullsi zgjedhore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat