Apeli vërteton aktgjykimin lirues ndaj ish-aktivistëve të VV-së për sulmin ndaj Kuvendit

Aktuale

Apeli vërteton aktgjykimin lirues ndaj ish-aktivistëve të VV-së për sulmin ndaj Kuvendit

Më: 26 dhjetor 2023 Në ora: 22:35
Aktivistet

Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, me të cilin Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi, më 27 dhjetor 2022 janë liruar nga akuza për terrorizëm.

Ndaj vendimit lirues të Themelores, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte parashtruar ankesë duke i propozuar Apelit që çështja të kthehet në rigjykim për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe për shkak të shkeljes së ligjit penal, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Apeli në vendimin e tij ka sqaruar se pas analizimit të shkresave të lëndës dhe duke vlerësuar pretendimet ankimore të PSRK-së ka ardhur në përfundimin se dispozitivi i vendimit të Themelores është i qartë dhe në përputhje me arsyetimin e dhënë në të.

Tutje, në vendimin e Apelit thuhet se, Themelorja në aktgjykimin e saj ka dhënë të gjitha faktet e duhura lidhur me çështjen penale në fjalë, duke i përshkruar dhe analizuar deklaratat e dëshmitarëve.

Gjithashtu në këtë vendim thuhet se kolegji i Apelit ka vërejtur se Themelorja provat relevante në këtë rast një nga një i ka vlerësuar lidhur me ndërlidhjet e tyre, andaj ka ardhur në përfundimin se nuk është arritur të vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzoheshin.

Gjithashtu, Apeli në vendim ka theksuar se pretendimet ankimore të PSRK-së janë të përgjithësuara dhe të pambështetura në provat e administruara në çështjen penale në fjalë.

Më 27 nëntor 2017, katër të akuzuarit ishin shpallur fajtorë dhe dënuar me 21 vjet e gjashtë muaj burgim. Ish-deputeti Frashër Krasniqi ishte dënuar me 8 vjet burgim, Atdhe Arifi ishte dënuar me 6 vjet burgim, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë si dhe Adea Batusha me 2 vjet heqje lirie.

Pas ankesave në Gjykatën e Apelit, lënda ishte kthyer në rigjykim. Kurse, Themelorja më 27 dhjetor 2022, mori aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve.

Aktakuza thoshte se me qëllim që Kuvendi të mos ratifikonte marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, më 4 gusht 2016, nga parkingu përballë Kuvendit, me raketahedhës dore kanë kryer sulmin ndaj Kuvendit.

Ndaj katër aktivistëve të Vetëvendosjes, PSRK-ja ka ngritur aktakuzë, katër muaj pasi të njëjtit, bashkë me tani të ndjerin Astrit Dehari, u arrestuan si të dyshuar për sulmin e 4 gushtit 2016 ndaj objektit të Kuvendi të Kosovës, por që Dehari kishte vdekur në nëntor të vitit 2016 në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat