Deliu kërkon nga Prokuroria që të hetojë faturat e fundit të rrymës

Aktuale

Deliu kërkon nga Prokuroria që të hetojë faturat e fundit të rrymës

Më: 27 dhjetor 2023 Në ora: 00:01
Blerta Deliu

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka kërkuar nga Prokuroria që të hetojë faturat e këtij muaji të energjisë elektrike.

Ajo e ka cilësuar si padrejtësi faktin që çmimi i energjisë elektrike është shtrenjtuar në një kohë kur qytetarët po përballen me vështirësi ekonomike.

“Personalisht kam kërkuar që të ketë hetim nga Prokuroria për këtë padrejtësi në kohën kur qytetarët e veriut, natyrisht nuk paguajnë, Qeveria paguan për ta dhe me këtë barrë të rëndë po rëndohen në masë të madhe me fatura të papërballueshme qytetarët e Kosovës anekënd”, ka thënë Deliu.

“Ju e keni parë edhe si media sot reagimin që ka qenë nëpër të gjitha rrjetet sociale, nëpër të gjitha organizatat e shoqërisë civile. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut po ashtu kishte një reagim që ftonte Prokurorinë dhe kërkonte nga Parlamenti që të mblidhemi për të trajtuar këtë fenomen të rëndë”, ka shtuar ajo.

Tutje, ajo e ka fajësuar Zyrën e Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e rrymës, mirëpo ka thënë se vendimi i ZRrE-së ishte në harmoni me vendimet e Qeverisë Kurti.

“Sot është e padrejtë fakti që qytetarët e Kosovës janë lënë në lëmoshë në kohën kur çmimi i energjisë elektrike është i papërballueshëm dhe shto këtu faktin qe kjo qeveri nuk ka marrë asnjë vendim për rritje të pagave në kohën e inflacionit të rëndë”, ka thënë më tej deputetja.

“Natyrisht që institucionet përkatëse duhet të hetohen nga Prokuroria. Natyrisht që duhet të ketë përgjegjësi edhe te ZRrE-ja. Keni parasysh që kjo rritje e çmimit të energjisë është bërë në koordinim të plotë me Qeverinë”, ka shtuar ajo.

Kur kemi diskutuar me Kurtin është thënë se ZRrE është institucion i pavarur dhe ne kemi parë që vendimet e ZRrE-së kanë qenë në harmoni të plotë me vendimet e Qeverisë së Kosovës”, ka potencuar deputetja Blerta Deliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat