Çka deklaruan Pantiq dhe të tjerët gjatë hetimeve për sulmin ndaj zyrave të KKZ-së në veri?

Aktuale

Çka deklaruan Pantiq dhe të tjerët gjatë hetimeve për sulmin ndaj zyrave të KKZ-së në veri?

Më: 27 dhjetor 2023 Në ora: 16:39
Foto ilustrim

Para ngritjes së aktakuzës, Dejan Pantiq, Milun Milenkoviq, Aleksandar Vlajiq dhe Miomir Vakiq, gjatë hetimeve ishin marrë në pyetje, ku edhe ishin deklaruar lidhur me veprën penale që tani ngarkohen se e kishin kryer.

Në aktakuzën ndaj katër të akuzuarve, thuhet se i akuzuari Pantiq, në deklaratë e dhënë në Policinë e Kosovës, ka mohuar se është i përfshirë në sulmin terrorist ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Mitrovicën e Veriut, duke thënë se në ditën kritke të 6 dhjetorit 2022 kishte dalë në qytet raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pantiq thuhet se ka deklaruar se sa ishte në rrugën kryesore “Kollashinska”, kishte hasur në një grumbull të madh njerëzish kryesisht të rinj dhe me kapela dhe se në ato çaste kishte dëgjuar dy shpërthime që kishin ardhur nga drejtimi i “Tre Rrokaqiejve”.

Sipas tij, në ato momente kishte komunikuar me bashkëshorten e tij përmes telefonit, duke i kërkuar asaj që të jetë sa më larg “Tre Rrokaqiejve”, me qëllim të informimit të saj se aty ka trazira.

Tuje, Pantiq thuhet se nuk e ka mohuar se i njeh të akuzuarit tjerë, por ka mohuar se në bashkëkryerje me ta kishin kryer sulmin ndaj zyrave të KKZ-së.

Më tej, në aktakuzë thuhet se Pantiq, i ballafaquar me komunikimet telefonike me të akuzuarin tjetër Vakiq se i është drejtuar këtij të fundit me fjalët “aty shkunden dardhat”, e që përgjigja e tij ka qenë “hidhjani nga një mollë”, Pantiq ka thënë se ka menduar se policia kanë të ftohtë dhe shkunden dardhat.

Në fund të deklarimit të tij, thuhet se Pantiq ka mohuar se ka pranuar xhaketë në formë uniforme nga strukturat paralele të sigurisë së Serbisë, duke shtuar se nga vitit 2014 ka qenë pjesë e Policisë së Kosovës dhe se në nëntor të 2022-ës ka dhënë dorëheqje.

I akuzuarit tjetër Milenkoviq, thuhet se në Prokurori ka mohuar veprimet inkriminuese të veprës penale që i vihet në barrë, duke thënë se në asnjë mënyrë nuk ka qenë i implikuar në sulmin terrorist ndaj zyrave të KKZ-së në Mitrovicën e veriut.

Tutje, i njëjti theksohet se ka pohuar se në ditën kritike të 6 dhjetorit 2022, ishte përshëndetur me shokët që ishin në autoambulancë, por se ka mohuar që nga personat që ishin në autoambulancë ka marrë granata dore.

Në deklarimin e tij, Milenkoviq thuhet se ka përmendur emrat si Draga dhe Petar dhe se qëllimi i vet i kontaktit me ta te autoambulanca, ishte që t’i përshëndeste të njëjtit, kurse i ballafaquar nga prokurori me atë se ka thënë fjalët “shpejt, shpejt mos i harroni ato”, ka thënë se nuk i kujtohen.

Milenkoviq, thuhet se për të akuzuarit Pantiq, Vlajiq dhe Vakiq, ka thënë se vetëm i njeh, por se nuk ka ndonjë raport të afërt me ta.

Ndërkaq, Milenkoviq thekson se i ballafaquar nga prokurori me komunikimet telefonike, ku citohet të ketë thënë “prej sot zyrtarisht jam zëvendës komandanti i brigadës së veriut…. dhe të ketë thënë nuk ka tani mbrojtje civile tani ka brigadë të veriut”, por i njëjti i ka mohuar këto deklarime.

I akuzuari i tretë Aleksandar Vlajiq, në deklaratën e dhënë para Policisë së Kosovës, thuhet se ka mohuar se është i përfshirë në kryerjen e sulmeve ndaj zyrave të KKZ-së, duke shtuar se në ditën kritike ka qenë në kafenenë ku punon dhe se nga gruaja e tij kishte dëgjuar për trazirat.

Më pas, Vlajiq thuhet se ka deklaruar që ka kërkuar nga gruaja e tij të shkojë me makinë ta marrë dhe me të arritur afër “Tre Rrokaqiejve”, kishin dëgjuar një apo dy shpërthime dhe se nuk ka mohuar faktin se ka ftuar zyrtarin e KKZ-së, duke i thënë se është thyer xhami i zyrave të KKZ-së.

Vlajiq, më tej thuhet se ka mohuar se bën pjesë në organizatat e quajtura “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” dhe se pas dorëheqjes si zyrtarë policorë nga Policia e Kosovës, ka vijuar punën si mësimdhënës në shkollën fillore “Branko Radiqeviq”.

Tutje, Vlajiq thuhet se ka mohuar se ka bashkëpunuar me të akuzuarit tjerë për të sulmuar zyrat e KKZ-së dhe se në Prokurori kishte vendosur të mbrohet në heshtje, duke mbështetur vetëm deklaratën e dhënë në Polici.

Në fund, i akuzuari i katër Vakiq, në aktakuzë thuhet se në deklaratën e dhënë para Policisë së Kosovës, njësoj si tre të akuzuarit tjerë, ka mohuar se është përfshirë në sulmin ndaj zyrave të KKZ-së dhe se në ditë kritike ka qenë për shëtitje në qendër të qytetit sipas udhëzimeve të mjekut.

Më tej, theksohet se Vakiq i ballafaquar me bisedat telefonike të realizuara me Pantiq, ku thuhet se ky i fundit i është drejtuar me fjalët “ Aty shkunden dardhat” (duke nënkuptuar për eksplozivët që mund t’i hedhen policisë), pastaj fjalët “Hedhja nga një mollë” (Vakiq t’i ketë thënë Pantic) dhe “Do të ketë shpërthime të tjera” (që Vakiq t’i ketë thënë Pantiqit” dhe fjalët “Derisa nuk konsolidohemi do të ketë lëvizje të policisë”. Por, Vakiq ka deklaruar se për këto fjalë nuk ka pasur qëllim dashakeqës përpos frikës që kishte pasur për sigurinë e tyre dhe familjarëve.

Në fund, aty thuhet se Vakiq nuk e ka mohuar se njihet me të akuzuarit tjerë, se prej vitit 2014 ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës si zëvendëskomandat, ku më 5 dhjetor 2022 kishte dhënë dorëheqje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat