Kurti takoi gjeneratën e dytë të Diplomacisë Qytetare: Bashkatdhetarët, pjesë vitale e kombit shqiptar

Aktuale

Kurti takoi gjeneratën e dytë të Diplomacisë Qytetare: Bashkatdhetarët, pjesë vitale e kombit shqiptar

Më: 28 dhjetor 2023 Në ora: 08:59
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dje ka pritur në takim gjeneratën e dytë të Programit për Diplomaci Qytetare.

Në këtë takim, Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz dhe zëvendësministrja, Liza Gashi.

Sipas njoftimit për media thuhet, se në këtë bashkëbisedim kryeministri Kurti theksoi se përvoja e këtij programi do të na shërbejë të gjithëve që të kemi sa më shumë suksese në afirmimin e Republikës së Kosovës, të drejtësisë dhe sukseseve të saj, por gjithashtu dhe në përmirësimin e imazhit tonë ndërkombëtar, ku rol të rëndësishëm luan dhe mërgata.

“Si në aspektin akademik e të ndërmarrësisë, po ashtu edhe në atë kulturor e shoqëror. Andaj jemi këtu për t’i ndihmuar njëri tjetrit, në mënyrë që Programi për Diplomaci Qytetare të jetë nga viti në vit gjithnjë e me suksese më të mëdha, me të arritura të reja”, shtoi kryeministri.

Ai potencoi dhe mbështetjen e vazhdueshme e të palëkundur të qeverisë ndaj këtij programi e pjesëmarrësve të tij.

“E bashkatdhetarët tanë ne nuk i shohim në një raport le të themi që lëkundet midis nostalgjikes edhe folklorikes, por i shohim si pjesë vitale e kombit shqiptar, si shans i madh për vendin tonë, qoftë në kuptimin e progresit socio-ekonomik, po ashtu edhe atë të kulturës, të arsimit, dhe të diturisë, që ajo e ka në vendin ku është, e na nevojitet edhe këtu në vendin prej nga ata vijnë” tha Kurti.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministrja njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, shprehu kënaqësinë e saj të vazhdimit të programit dhe praninë e pjesëmarrësve kaq të përgatitur, bashkë me këtë dinamikë të jashtëzakonshme, e cila nga janari do vijojë dhe me zbatimin e projekteve të ndryshme, jo vetëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, por edhe në ministri të tjera.

Në vijim, kryeministri dëgjoi historitë, përvojat, sukseset dhe arsyet e aplikimit të pjesëmarrësve, pjesë e diasporës sonë në Gjermani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e më gjerë, të diplomuar në art, kulturë, politikë të jashtme e të tjera.

Ne e çmojmë shumë vullnetin e tyre për të kontribuar për vendin dhe sjellë këtu përvojën e akumuluar.

Kujtojmë se ky program synon të forcojë lidhjen e diasporës me institucionet e Republikës së Kosovës, duke u krijuar atyre mundësi që të përfshihen drejtpërdrejt në institucionet publike në vendin tonë përmes angazhimit profesional, sjelljes së përvojës së tyre dhe kontributit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat