Kush është Dick Marty, i cili ndërroi jetë sot? Ishte kërcënuar me vdekje nga shërbime të inteligjencës serbe

Aktuale

Kush është Dick Marty, i cili ndërroi jetë sot? Ishte kërcënuar me vdekje nga shërbime të inteligjencës serbe

Më: 28 dhjetor 2023 Në ora: 15:38
Dick Marty

Ish-senatori zviceran dhe prokurori, Dick Marty ka vdekur sot në moshën 78 vjeçare.

Mediumi i njohur zviceran, “Swissinfo” raporton se lajmi është konfirmuar nga partia e tij.

Dick Marty që ka lindur me 7 janar 1945, është politikan zviceran dhe ish prokuror i shtetit në kantonin e Ticinos.

Ai është bërë i njohur si anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Marty mban doktoraturë në juridik nga Universiteti i Neuchatelit. Ka punuar në Institutin e njohur Max Planck për Ligjin e Huaj dhe Ndërkombëtar në Freiburg të Gjermanisë.

Puna e tij si kryeprokuror shtetëror në Ticino veçohet për aktivitetet energjike në luftën kundër krimit të organizuar dhe narkotikëve e për këto arritje, ai mori Çmimin e Nderit të Departamentit amerikan të Shtetit për Drejtësi.

Në vitin 1998 Marty u emërua anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku ishte pjeësë e Komitetit Monitorues.

Në vitin 2005, Marty ishte emëruar si udhëheqës i hetimeve nga Këshilli i Evropës për të pretenduarat burgje sekrete të CIA-s në Evropë, e të cilat do të konsideroheshin si të paligjshme.

Në qershor të vitit 2006 ai kishte hartuar raportin e tij duke dhënë konkludimin që tregonte se katërmbëdhjetë shtete evropiane kishin ndihmuar në kryerjen e abuzimeve të tilla ndaj të burgosurve.

Marty më pas ka publikuar edhe një raport të dytë për çështjen ku mbështeste të gjeturat e kaluara.

Më 14 dhjetor të 2010-s, z. Marty publikoi një raport ku pretendohej për trajtime çnjerëzore të njerëzve dhe për vrasjen e të burgosurve me qëllim heqjen dhe trafikimin e paligjshëm të organeve në Kosovë, ku përfshihej Hashim Thaçi, lider politik i atëhershëm i UÇK-së dhe tani i akuzuar për krime lufte nga Dhomat e Specializuar të Kosovës në Hagë bashkë me ish-krerë të tjerë të UÇK-së.

Asokohe, liderët politikë në Kosovë reaguan kundër këtij raporti duke e quajtur “të motivuar politikisht”.

Para rreth një viti, në emisionin “Mise au Point” në Radiotelevizionin e Zvicrës, Marty kishte thënë se ishte habitur se nuk ishin shqiptarët ata që planifikuan vrasjen e tij, meqë supozohej se ata do kishin një arsye, por në fakt ishin serbët që ia donin vdekjen.

Që nga dhjetori 2020, Dick Marty ishte vendosur nën mbrojtje shumë të lartë policore. Ai kërcënohej me vdekje nga elementë radikalë të shërbimeve të inteligjencës serbe.

“Me 18 dhjetor, 2020, kam pranuar një telefonatë nga policia që më informonin se isha kërcënuar me vdekje dhe më vendosën menjëherë në mbrojtje të lartë të policisë." - kishte thënë Marty.

Madje policia i kishin thënë se ai është në rrezik të shkallës së pestë, shkalla më e lartë e rrezikut, prandaj i ishte ofruar ndryshim i identitetit dhe adresës.

“Shkalla pesë nënkupton që të zhdukesh, por unë s’mund ta bëja këtë”, thotë Marty, “prandaj, kemi qëndruar në shkallën katër deri më tani." - kishte thekuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat