Zeqiri: KOSTT-it nuk i janë ndarë mjete financiare gjithmonë

Aktuale

Zeqiri: KOSTT-it nuk i janë ndarë mjete financiare gjithmonë

Më: 29 dhjetor 2023 Në ora: 00:36
Kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Evetar Zeqiri

Kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Evetar Zeqiri, tha se sektori i energjisë është sfiduar në mënyrë të jashtëzakonshme vitet e fundit. Lufta në Ukrainë e ka shpërqendruar sektorin e energjisë, duke e krijuar një krizë energjetike e cila ka shkaktuar pasoja jo vetëm për Kosovën por edhe për të gjitha vendet e Evropës.

“Këtu as Kosova nuk është përjashtuar nga ky ndikim, me ç’rast çmimi i energjisë ka pësuar një rritje të jashtëzakonshme të shumëfishtë, gjë e cila ka reflektuar edhe në ngritjen e kostos të blerjes së energjisë. Dhe si rezultat i kësaj KOSTT-i është përballur edhe me një përgjegjësi shtesë e cila i është vënë KOSTT-it për furnizim pjesës veriore të vendit”, tha Zeqiri, në “Lajmet e Fundit” në RTK.

Tutje sipas tij, KOSTT-it ndonëse i është dhënë përgjegjësi shtesë për furnizim të pjesës veriore me energji, nuk i janë ndarë mjete financiare gjithmonë.

“Mos ndarja e mjeteve për KOSTT dhe kjo ka shkaktuar pasiguri financiare për ndërmarrjen sepse sigurimi i mjeteve financiare ka qenë i vështirë. Megjithatë, me ndihmën e aksionarit, në këtë rast të qeverisë, është tejkaluar kjo situatë”, tha Zeqiri.

Duke e komentuar nënshkrimin e një ditë më parë të marrëveshjes e nën-huazimit mes KOSTT-it dhe Ministrisë së Financave për projektin “Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – Përmirësimi i rrjetit të transmetimit”me vlerë prej  25.5 milionë euro, Zeqiri tha  se ky projekt parasheh investime në zëvendësimin e nënstacioneve të linjave kyçe të tensionit për operim të sigurt dhe të qëndrueshëm të sistemit të transmisionit.

“Projekti fokusohet në katër komponentë kryesore pra ndërtimin e nënstacioneve të reja në zonën e Deçanit me vlerë prej 9.3 milionë euro, ku do të mundësojë integrimin e një kapaciteti të rëndësishme të burimeve të ripërtritshme të cilat kanë potencial në atë pjesë, zëvendësimin e transformatorëve ekzistues me transformator të ri që do të përmirësojnë ngarkesën, ndërrimi i linjave dhe më e rëndësishmja pakoja digjitale që ne i referohemi që ka kuptimin që do të bëjë zëvendësimin e aspektit digjital që do të mundësoj një fuqizim më të mirë të ndërmarrjes sa i përket sigurisë kibernetike e cila është bërë një temë tejet e rëndësishme”, tha ai.

Po ashtu, sipas tij, ky projekt parasheh investime në zëvendësimin e nënstacioneve të linjave kyçe të tensionit për operim të sigurt dhe të qëndrueshëm të sistemit të transmisionit dhe më e rëndësishme është që vazhdon të ulet edhe niveli i humbjeve, që megjithatë janë të vogla aktualisht, por rritet efiçienca e rrjetit të transmisionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat