Osmani: Grupet kriminale po vazhdojnë riorganizimet brenda territorit të Serbisë, do t’i ndalim bashkë me aleatët

Aktuale

Osmani: Grupet kriminale po vazhdojnë riorganizimet brenda territorit të Serbisë, do t’i ndalim bashkë me aleatët

Më: 29 dhjetor 2023 Në ora: 08:56
Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kryeministri, Albin Kurti, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, gjatë muajit të fundit kanë alarmuar për sulme të reja nga Serbia. Për këto paralajmërime, ka folur Osmani sërish.

Osmani tha se disa prej shteteve aleate të Kosovës, qysh në ditën e parë pas sulmit të Banjskës në takimet me krerët e shtetit të Kosovës kanë paralajmëruar masa të ashpra në raport me Serbinë në qoftë se konfirmohet se Serbia si shtet ka qenë i involvuar.

“Por natyrisht nuk humbim shpresë nga diskutimet që unë kam vazhdimisht për këtë temë me aleatët tanë na jepin shpresë që një gjë e tillë do të marrë drejtim do të thoja të ardhmen por i kanë edhe ata vlerësimet e veta”, tha Osmani.

“Tani unë nuk po e përmend kush saktësisht ka zhvilluar hetime, mirëpo ka hetime të përfunduara dhe nga disa shtete aleate të cilat kanë dëshmuar drejtpërsëdrejti edhe involvimin e institucioneve shtetërore serbe, tani prej disa prej tyre dihet.. urdhri ka ardhur nga vet presidenti Vuçiq. Kjo tashmë është e dëshmuar. Tani ne duhet siç na është thënë nga aleatët të presim edhe pak sepse secili prej tyre i kanë procedurat e veta të brendshme kur bëjnë publike rezultatet e hetimeve apo konkluzione kështu që jemi në bashkëpunim me ta."

Ndër të tjera, Osmani tha se grupet kriminale po vazhdojnë riorganizimet e tyre brenda territorit të Serbisë.

“Grupet kriminale po vazhdojnë trajnimet e tyre dhe përgatitjet e tyre dhe riorganizimet e tyre brenda territorit të Serbisë. Nuk thash që ata nuk po përgatiten të sulmojnë, thash që do t’i ndalim, prandaj qytetarët duhet të jenë të qetë, jo pse Serbia nuk e synon të keqen, por sepse ne së bashku me aleatët tanë do t’i ndalim, nuk do të lejojmë që ata ta rrezikojnë Kosovën dhe t’i rrezikojnë qytetarët e saj.“, tha Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat